Tiranë, 5 shtator 2014 – Petrit Fusha, nga Prokuroria e Tiranës, ka deklaruar se po hetohet me intensitet lidhur me vjedhjen në Bankën e Shqipërisë. Në një prononcim të shkurtër për median, ai ka bërë me dije se do të pyetet çdo person që mendohet se ka dijeni mbi ngjarjen.
Ermelinda Meksi, anëtarja e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë është paraqitur mëngjesin e sotëm në Prokurori, për të dhënë dëshminë e saj lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Banka.
Ndërkohë, aktualisht, po merret në pyetje anëtarja tjetër e Këshillit Mbikëqyrës Ela Golemi, ndërsa ditën e hënë do i nënshtrohen pyetjeve të organit të akuzës anëtarët Petraq Milo, Ardian Civici, Dhori Kule dhe Elisabeta Gjoni.
Ata do të pyeten nga Task-forca e Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton dosjen e Thesarit, dhe pas dëshmive të tyre pritet të përcaktohet ecuria e mëtejshme e hetimeve për zbardhjen e ngjarjes.
Ndërkohë për guvernatorin Fullani nuk ka ende një datë nga akuza për marrjen në pyetje.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





