3 qershor 2015 – Në një botë demokratike votohet një anëtar, një votë. Por, kur bëhet fjalë për interesa të mëdha, “peshkaqenët” duan të gllabërojnë “peshqit e vegjël”.Këtë rregull Gjermania kërkon ta vendosë në “kushtetutën” e FIFA-s, ku një vend i vogël ka të drejtë vote njësoj si Kina, SHBA-ja apo Gjermania.Gazeta gjermane “Bild” i ka kushtuar vëmendje të veçantë këtij rregulli duke krahasuar ishujt Kajman me federatën gjermane.Kjo federatë ka aq anëtarë sa ekipi i Ligës 2, Aue. Kombëtarja e ishujve Kajman renditet në vend të 191. Ishulli ka aq pak banorë, sa një fshat i Gjermanisë. Sep Blater u rizgjodh president i FIFAs falë federatave të vogla nga Afrika, Amerika Qendrore dhe Oqeania. Një votë nga Aruba vlen sa një nga Anglia.Një votë e ishujve Kajman (3700 anëtarë) ka aq vlerë sa federata gjermane me 6.85 milionë anëtarë. Blater arrin t’i kënaqë siç duhet “peshqit e vegjël”. Me mjete legale ai siguron dhe shijon mbështetjen e federatave të vogla. Kështu ndodh edhe me ishujt Kajman. Financat e FIFA-s derdhen prej kohësh në ishujt Karaibe, sidomos nga programi “Goal”.
Në vitin 2008 dhe 2011, FIFA financoi ndërtimin e dy fushave moderne në vendin me 58 mijë banorë.Nga viti 2002, FIFA ka derdhur 2.2 milionë euro për zhvillimin e ishullit. Ndërsa vetë Gjermania në 5 vitet e fundit ka përfituar nga programi “Goal” vetëm 900 mijë euro, edhe pse ka 1850 herë më shumë anëtarë se ishujt. Por, lista e financimeve të FIFA-s s’përfundon me kaq. Federata e Bahamas ka përfituar 1.3 milionë euro nga viti 2004; Botsvana 1.3 milionë euro nga viti 2001; Hondurasi 1.7 milionë euro nga viti 2001; Panamaja 1.8 milionë euro nga viti 2001; Tonga 1.7 milionë euro nga viti 2001. Të gjitha financime të ligjshme. Njeriu që merr kaq shumë bonuse nga Blater është Xhefri Ueb, presidenti i federatës së ishujve Kajman dhe njëkohësisht kreu i CONCACAF dhe zv.presidenti i FIFA-s. Njeriu, i cili shihet edhe si pasuesi i Blaterit, është një kriminel. Ai ka në dorë 34 federata dhe 35 vota, pra 17% të kongresit (209 federata).