KAVAJE, 15 maj 2013– Në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Kavajës, ekskursioni i maturantëve në fund të vitit shkollor drejt qytetit të Sarandës është bërë tashmë traditë. Mirëpo sivjet kemi të reja. Saranda nuk do të jetë destinacioni i vetëm i të rinjve. Atyre u është vënë përpara dhe një tjetër alternativë shumë tunduese, një udhëtim për në Budva. Këto ekskursione janë organizuar dhe u janë ofruar nxënësve me shumë dashuri nga dy kandidatët për deputetë të Kavajës, z. Parid Cara i Partisë Socialiste dhe z. Gentian Deliallisi i Partisë Demokratike. Të gjitha shpenzimet e udhëtimeve janë të sponsorizuara nga dy kandidatët dashamirës. Detaj interesant është fakti se nisja për rrugë do të bëhet në të njëjtën ditë. Nisja bëhet të premten, më 17 maj.

NXENESIT

Sigurisht që për maturantët ishte një surprizë mjaft e bukur mundësia për të udhëtuar falas. Vetëm se dy ofertat bënë që nxënësit të ishin në dilemë: Të zgjidhnin partinë e zemrës, apo qejfin e dy-tri ditëve? Nga bisedat me maturantët e Kavajës, mësuam se pjesa më e madhe e tyre kanë vendosur të mos ndikohen nga bindjet politike personale apo bindjet e prindërve të tyre e të zgjedhin vendin që u pëlqen më shumë të vizitojnë. Siç pritej shumica zgjodhën të shkojnë në Budva. Konkretisht, rreth 150 nxënës do të udhëtojnë drejt Malit të Zi, ndërsa 70 të tjerë drejt qytetit të Sarandës. Nga vetë nxënësit mësuam se një pjesë e mirë e atyre që zgjodhën të shkojnë në Budva, janë simpatizantë të Partisë Demokratike, por janë justifikuar duke thënë se ky aktivitet nuk është aspak politik. Bindja politike e nxënësve nuk ka qenë aspak kusht, dhe sipas nxënësve anëtarësimi në forumet rinore të partive përkatëse është sipas dëshirës. Gjithashtu nxënësit na rrëfyen se mësuesit nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të krijuar ndasi dhe u kanë lënë atyre liri të plotë në përzgjedhje. Kështu ka ndodhur që klasat të përçahen.
 

KANDIDATET

Lajmin për këto udhëtime e morëm vesh pikërisht nga kandidatët sponsorizues, të cilët e kanë reklamuar dhuratën e tyre për nxënësit në profilet e rrjetit social “Facebook”. Në statuse të ndryshme shkruhen detaje se çfarë u ofrohet nxënësve përgjatë udhëtimit, duke përfshirë hotelet, diskot e plazhet. Madje në komentet e këtyre statuseve mund të lexoje edhe akuza të hapura të anëtarëve të forumeve rinore, të cilët ‘hidhnin baltë’ mbi organizmin e udhëtimit të partisë konkurrente. Kjo sepse një numër i madhe i maturantëve kavajas tashmë janë bërë pjesë e FRPD-së dhe FRESSH-it.
 

MESUESIT

Sipas një urdhri nga Ministria e Arsimit, nxënësit gjatë udhëtimeve duhet të jenë të shoqëruar nga mësuesit. Kështu, në udhëtimin e Sarandës do të udhëtojnë tetë mësues të gjimnazit “Aleksandër Moisiu”, ndër ta edhe drejtoresha e shkollës, Fatmira Germani. Ndërsa në rrugën për në Budva, mësuesit pjesëmarrës do të jenë gjashtë.