30 nëntor 2015 – Pas skandalit në stadiumin e Pukës, me autoambulancën që nuk ndizej për të transportuar futbollistin e dëmtuar të Tërbunit, ministri i Shëndetësisë ka pezulluar nga puna shoferin e mjetit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mosndezja e autoambulancës nuk ka ardhur nga ndonjë defekt, por përgjegjës ishte shoferi. Detaje të tjera nuk jepen, ndërkohë që MSH bën me dije se ditën e nesërme do të merren masa të tjera për këtë rast.
Incidenti tragjikomik u shënua të shtunën gjatë ndeshjes mes Tërbunit dhë Teutës. Në fillim të pjesës së dytë të sfidës, u dëmtua futbollisti afrikan i Tërbunit, Abel Gebor, i cili mbeti i shtrirë, duke alarmuar të gjithë. Megjithëse gatishmëria ishte maksimale edhe nga stafi i Teutës, me në krye trajnerin Gugash Magani, që vrapoi në fushë për të parë gjendjen e afrikanit, e kundërta vlen për ambulancën.
Fillimisht, shoferi nuk ishte në vendin e vet, sepse po ndiqte ndeshjen, me automjetin e parkuar disi larg. Më pas, kur ai shkoi të ndizte makinën, ajo nuk ndizej dhe u desh tërheqja me kavo nga zjarrfikësja. Pas disa minutash ankthi, makina u ndez dhe Gebor u transportua për në spital.
/portali DurresLajm/





