Ministria e Shëndetësisë duket se ka favorizuar kompaninë farmaceutike “Profarma”, në  listën  e  ilaçeve të rimbursueshme, ku 49% të aksioneve i ka deputeti Tom Doshi.

Lista e siguruar ekskluzivisht nga HashtagAL, tregon se  medikamentet kryesore të kësaj kompanie janë shpallur si “alternativë e parë ”nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për vitin  2015, çka do të thotë se kanë qenë më të favorizuarat për të  përfituar nga skema e rimbursimit të ilaçeve.

Hartimi i kësaj liste të ilaçeve është bërë në fund të muajit Mars 2015, që koinçidon dhe me kulmin e konfliktit politik mes Doshit dhe Metës, ndërsa largimi i Doshit asokohe prej grupit parlamentar të PS-së është shoqëruar me rritjen e përfitimeve të kompanisë së tij nga skema e rimbursimit të ilaçeve.

Ministria e Shëndetësisë akordoi në mars 2015 një fond prej 8.9 miliardë lekësh, afro 85 milionë dollar për rimbursimin e barnave dhe pajisijeve mjekësore, ndërsa bëhet e qartë se kompania “Profarma” është më e avantazhuar sa i takon rimbursimit të barnave. Është ende e panjohur dhe e pashpallur zyrtarisht vlera ekzakte e përfituar nga kjo kompani për vitin 2015. Për 30% të barnave të listës së rimbursimit të vitit 2015, çmimet janë rritur 50-150 % krahasuar me vitin 2014. Procesi i hartimit të kësaj liste nuk ishte transparent, ndërsa çmimet e barnave nuk u vendosën mbi bazën e negociatave apo deklarimeve të kompanive farmaceutike.

Disa kompani farmaceutike pretenduan se çmimet e këtyre barnave u vendosën në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Shëndetësisë dhe objeksionet e pjesës dërrmuese të këtyre kompanive u shpërfillën. Në gusht të këtij viti, në një intervistë për gazetarin Denion  Ndrenika, ministri i Shëndetësisë u pyet në lidhje me dyshimet për  favorizimin e njëanshëm të kompanisë së Tom Doshit, ndërsa z.Beqaj, duke vënë buzën në gaz u përgjigj:

“Le të themi që, nëse sot Tom Doshi ka interesa te “ProFarma ”, “ProFarma ”është një fabrikë 60-vjeçare barnash në Shqipëri. Ka prodhuar barna gjithë jetën dhe bile kur kemi qenë fëmijë edhe unë
edhe ti (qesh), me penicilinat e “ProFarmës ”na kanë mjekuar
prindërit. ”