6 qershor 2015 – Në lidhje me skandalin e ilaçeve të rimbursueshme, sot ka reaguar dhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Në një deklaratë për mediat, Beqaj tha se mbështet hetimet e Prokurorisë për personat përgjegjës në lidhje me këtë skandal, por megjithatë Ministria e Shëndetësisë, sipas tij nuk do mjaftohet vetëm me kaq. Ai theksoi se do merren masa konkrete që ky skandal të mos përsëritet më.
Pikërisht për këtë, janë marrë dy masa të rëndësishme.
-Njëra prej tyre është që çdo muaj, Ministria e Shëndetësisë do të bëjë transparencën e plotë të të gjithë rimbursimeve që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) kryen për çdo farmaci. Gjithashtu, do të bëhet publike sasia e barnave të rimbursuara dhe vlera financiare për të gjithë rimbursimin në vend, si dhe lëvizja e barnave me rimbursim nga importues/shpërndarës farmaceutikë dhe vlera e rimbursimit të farmacive sipas drejtorive rajonale të FSDKSH.
-Ndërsa masa e dytë është zëvendësimi i recetës klasike me atë elektronike, duke nisur nga qyteti i Durrësit. Futja në përdorim e këtij mekanizmi bashkëkohor, është një hap i sigurt në përpjekjet për rritjen e transparencës dhe shmangien e abuzimeve me recetat e rimbursueshme.
Në lidhje me skandalin e ilaçeve të rimbursueshme janë arrestuar 9 persona (Lexo këtu: Fitim 55 milionë lekë te barnat, superaksion i policisë te zyrtarë e farmacistë).
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





