Kryetari i PD-së, Lulzim Basha po zhvillon një takim me demokratët dhe anëtarë të partisë në Dibër. Gjatë fjalës së tij Basha ka komentuar edhe skandalin e rrjedhjes së të dhënave të shqiptarëve për pagat e tyre.

Sipas kryedemokratit, ky skandal ka treguar “në disa rrafshe se ku është katandisur Shqipëria, një shtet i kapur nga të korruptuarit, i rrënuar deri në tullën e fundit”.

“Zbulimi i të dhënave personale të qytetarëve, na tregoi në disa rrafshe se ku është katandisur Shqipëria nën sundimin e paligjshëm të Edi Ramës dhe një grushti pushtetarësh e oligarkësh, e kriminelësh me të cilën mban paligjshmërisht pushtetin e shqiptarëve”, u shpreh kryetari i demokratëve.

Basha tha se Shqipëria aktualisht nuk ka qeveri.

“Sepse në krye ka një bandë e cila paktin nuk e ka me qytetarët. Ka një njeri të ulur në karrigen e kryeministrit që nuk ka hallin e njerëzve”, theksoi Basha.

“Të gjitha këto halle, probleme, dhimbje të përditshme të shqiptarëve, janë bërë edhe më të rënda nga pandemia, e cila na ka marrë nga gjiri familjeve tona dhjetëra, mijëra prindër dhe të afërm. Shumë më shumë sesa vendet fqinje. Ka goditur dhe ka futur në borxh qindra, mijëra familje shqiptare.

Sepse ky vend nuk ka qeveri. Sepse ky vend nuk qeveriset.

Ky vend nuk ka qeveri sepse në krye ka një bandë e cila paktin nuk e ka me qytetarët. Ka një njeri të ulur në karrigen e kryeministrit që nuk ka hallin e njerëzve.

Nuk qeveriset sepse anembanë vendit, nuk ka shtet. Nuk është një shtet i korruptuar dhe i kapur, por është një shtet i kapur nga të korruptuarit. Një shtet që siç e pamë javët e fundit është rrënuar deri në tullën e fundit.

Zbulimi i të dhënave personale të qytetarëve, na tregoi në disa rrafshe se ku është katandisur Shqipëria nën sundimin e paligjshëm të Edi Ramës dhe një grushti pushtetarësh e oligarkësh, e kriminelësh me të cilën mban paligjshmërisht pushtetin e shqiptarëve”, tha Basha.