Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për skandalin e publikimit të pagave të shqiptarëve. Ne një aktivitet ku u firmos marrëveshja për forcimin e sigurisë së sistemeve digjitale në vend, kreu i qeverisë shpjegoi se me këtë marrëveshje të dhënat do të jenë më të sigurta.

Sipas Ramës të dhënat duhen të ruhen jo vetëm nga brenda, ku ka persona të infiltruar dhe të paguar, por edhe sulmet kibernetike.

Publikimi i të dhënave ishte një e keqe qe nuk erdhi vetëm për keq, pasi shumë qytetarë përjetuan efektet negative të publikimit të të dhënave, u shpreh kryeministri.

“Para pak kohe ne patëm një ngjarje të rëndë, rrjedhjen e disa të dhënave personale që lidhen me pagat e shqiptarëve. Një ngjarje që ka ndodhur në të gjithë vendet e zhvilluara, por që na jep edhe mësimin se nuk janë vetëm sulmet anonime kibernetike që ne duhet të jemi të mbrojtur, por janë edhe sulmet nga brenda prej personave të infiltruar dhe të paguar qoftë dhe të papërgjegjshëm. Prandaj unë vlerësoj marrëveshjen për garancinë se kapaciteti dëmprurës i individëve do të jetë shumë më i reduktuar dhe një sistem i tërë i rritjes së cilësisë së burimeve njerëzore do të jetë në funksion. Do të jenë në funksion edhe programe të posaçme për të siguruar se aftësia e çdo individi për ta penetruar sistemin do të jetë e kufizuar.

Është një lajm shumë i mirë sot edhe për ata që u lënduan sot nga dalja e të dhënave personale. Unë besoj se dalja e të dhënave personale për pagat, ishte një e keqe që nuk erdhi vetëm për keq, pasi të gjithë shqiptarët panë një problem që sot e kemi më të lehtë se dje që ta adresojmë në aspektin e marrëdhënies ligjore të shumë punëdhënësve. Ashtu sikundër shumë qytetarë përjetuan efektet negative të një sulmi mbi sistemin, çka e bën marrëveshjen e sotme edhe më të mirëseardhur”, tha Rama.