Kryetari i Partisë Demokratike, dega Durrës, Ferdinand Xhaferaj doli sot në një konferencë për mediat, ku foli lidhur me situatën e krijuar në qytetin bregdetar për shkak të mbetjeve urbane.
Xhaferaj tha se degradimi i Durrësit ka filluar që në vitin 2007, kur në krye të bashkisë së qytetit erdhi Vangjush Dako.
Sipas tij, nga të gjithat dështimet e bashkisë, mospastrimi i Durrësit është dështimi më i madh, i cili vjen nga arroganca, paaftësia dhe korrupsioni.
“Ky dështim ka një kosto shumë të lartë për mjedisin, e si rjedhojë për shëndetin e qytetarëve të Durrësit. Në 2018 si pasojë e djegie së mbetjeve në qiell të hapur, në Porto Romano u shpall emergjenca mjedisore. Është bërë një tender korruptiv prej 11.5 milionë eurosh për ta kthyer fushën ku digjeshin pelhrat në Porto Romano në Eko Park. Ndërsa janë lëvruar paratë e korrupsionit, nuk ka para për të hequr mbetjet e shpërndara në të gjithë qytetin në fillim të sezonit turistik.”, tha Xhaferaj ndër të tjera.
Kreu i PD Durrës tha se të zëvendësosh një katastrofë mjedisore më një tjetër katastrofë është një dështim i paprecedentë.
“Teksa Dako dhe Rama mendojnë si të përfitojnë edhe më shumë nga tenderi i Eko Parkut, qytetarët e Durrësit dhe të Manzës vazhdojnë të frymojnë mes mbetjeve.”, përfundoi ai.





