Gjykata e Apelit nuk ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Lezhës, Fran Frrokaj duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë ‘arrest shtëpie’. Frrokaj kërkonte detyrim paraqitjeje, pasi pretendon pafajësi, ndërsa Apeli ka refuzuar kërkesën e tij.
Ndërkohë që Gjykata rrëzoi edhe kërkesën e prokurorisë për rikthimin në burg të kryebashkiakut. Frrokaj ishte i pranishëm në seancën gjyqësore në Apelin e Shkodrës, ku u shpreh i zhgënjyer me vendimin e gjykatës, që e la në ‘arrest shtëpie’.
"Jam totalisht i pafajshëm. Akti i marrjes së tokës në pronësi vjen i plotësuar, nuk plotësohet nga bashkia. Bashkia nuk ka asnjë informacion për këtë çështje. Unë mendoj se është një përdorim ofendues, jam i zhgënjyer nga prokuroria. Nuk jam thirrur asnjëherë nga prokuroria kur unë jam 365 ditë në Lezhë".
Neshat Fana, avokati i kryebashkiakut të Lezhës, u shpreh se do të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, pasi Frrokaj duhet që të ushtrojë funksionin.





