*Mishi jo i freskët dhe i pakonsumueshëm është refuzuar më shumë se çdo produkt tjetër
*Qytetarët: Po luajnë me shëndetin e fëmijëve tanë
16 nëntor 2015 – Pas ankesave të shumta të prindërve, dhe situatës alarmante të ngritur në mensat e çerdheve, kopshteve dhe konvikteve, kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka nisur për inspektim në magazinën qendrore, prej nga ku furnizohen të gjitha mensat, drejtorin e Drejtorisë së Arsim Kulturës Ardian Gurra dhe Përgjegjësen Ana Dovana. Së bashku me ta, të pranishëm për të marrë mostrat e produkteve ushqimore për analiza ishin edhe inspektorët e Shëndetësisë.
Pas inspektimit blic herët në mëngjes, një debat i madh që ka zgjatur për rreth 60 minuta është zhvilluar në magazinë, gjatë kohës që po bëhej edhe furnizimi, nga kompania e cila ka fituar tenderin për të bërë furnizimin me produktet ushqimore të të gjitha institucioneve publike.
“Ka një sërë ushqimesh që kontestohen nga ana jonë. Mishi, orizi, djathi, makaronat etj. Çdo vit bashkia e Durrësit tenderon shërbimin e furnizimit të produkteve ushqimore, në bazë të standardeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Standardi i kësaj ministrie saktëson kaloritë që nxënësit dhe fëmijët duhet të marrin për çdo vakt ushqimor”, thotë Gurra.
Ai nënvizon se ka tre javë që ka ankesa, e për këtë po monitorohet situata dhe do të dilet në një konkluzion për t’u marrë masa konkrete deri në bllokim të aktivitetit.
“Ne jemi këtu për të parë ku qëndron problematika, nëse qëndron te furnizuesi apo në anën e bashkisë, në kuzhinat e çerdheve e kopshteve të fëmijëve. Por një vendim më të specializuar do ta japin ekspertët e kontrollit të ushqimit”.
Sipas Gurrës, furnizuesi pretendon luhatjen e çmimeve në treg për produktet që ka furnizuar.
Çfarë po ndodh realisht me ushqimin që hanë fëmijët në Durrës?
Si po abuzohet me fëmijët e qytetit, me vogëlushët, me ata që janë krejtësisht të pafajshëm? Si po abuzojnë me shëndetin e tyre? Bashkia financon 50% të kostos reale për fëmijët. Prindërit paguajnë nga 4500 lekë në muaj tarifë për fëmijët në çerdhe e në kopsht, ndërsa kostoja e ushqimit llogaritet në 9800 lekë në muaj. Diferenca paguhet nga bashkia.
Në Durrës funksionojnë 6 kopshte, 4 çerdhe, 2 konvikte të shkollave kombëtare, dhe shkolla e fëmijëve me aftësi të kufizuar, që varen nga bashkia e Durrësit për sa i përket ushqimeve. Nuk dihet sa është vlera e tenderit nga bashkia, por sipas firmës që e ka fituar janë tenderuar rreth 10 milionë lekë.
Një kokërr vezë normale, sipas standardit të Ministrisë së Shëndetësisë duhet të jetë 40 gramë. Nuk dihet sa është pesha e saj reale, por çmimi është 15 lekë në magazinë, ndërsa në treg me pakicë 10 lekë për kokërr.
Orizi i cili përdoret për fëmijët nuk gjendet në treg, apo në supermarketet e zakonshme, për shkak të cilësisë së tij dhe çmimit. Nuk përdoret as gjerësisht në kuzhinat tona, për shkak se nuk zien kollaj, dhe ka një çmim shumë të ulët, ndërsa në magazinë për fëmijët shkon në 120 lekë kg.
Por edhe fasulet në këtë magazinë me sy të lirë shikohen që janë të përziera. Fakt ky që u evidentua menjëherë nga inspektorët. Në artikujt e tenderuar, një kg patate është tenderuar me 70 lekë kg, realisht me shumicë vlera e patates është 35 lekë kg.
Djathi që shkon te fëmijët ishte djathë 350 lekë kg, merret vetë me mend se sa vlera ushqimore e kalori ka një kg djathë me këtë çmim që u shkon fëmijëve të vegjël.
Sa për mishin, jo rrallëherë është refuzuar nga magazina dhe nga kuzhinieret e mensave, sepse ka qenë i pakonsumueshëm, jo i freskët dhe është refuzuar më shumë se çdo produkt tjetër.
Qytetarët: Po luajnë me shëndetin e fëmijëve tanë
Kreu i bashkisë, abuzuesit duhet t’i gjejë brenda bashkisë, duke nisur nga Inspektorati i Shëndetësisë, i cili ka dështuar në detyrat funksionale të tij. Nëse ka ankesa të vazhdueshme ashtu sikundër po ndodh me të vegjlit e Durrësit, Inspektorati që merr rrogën për të verifikuar e për të monitoruar produktet ushqimore të fëmijëve, duhej të kishte ndërhyrë.
Inspektorët që kontrollojnë çerdhet, kopshtet, konviktet dhe mensat e tyre, nuk duhet ta kishin lënë në këtë derexhe situatën me ushqimin e fëmijëve. Janë pikërisht këta inspektorë, që bëhen “palë” në kurriz të fëmijëve. Bëhen palë duke nisur që nga furnizuesi, magazinieri, dhe deri te kuzhinieret e këtyre institucioneve publike. Nuk është aspak çudi që në këtë tollovi të madhe, furnizuesi të sjellë edhe mall skarco, të “xhapë” magazinieri, të “mbyllë gojën” e inspektorëve, e në fund edhe kuzhinierët e çerdheve, të kopshteve e të konvikteve të mos kenë fare dorë?
Kështu shprehen shumë prindër, që dërgojnë fëmijët e tyre në këto institucione. Këta prindër thonë se abuzimi është i madh, dhe të gjithë strukturat mbyllin gojën dhe sytë, nuk ngrenë problemet sepse janë në tavën e përfitimeve edhe vetë. E nëse duhet të gjendet fajtori, këtë duhet ta bëjnë strukturat e policisë dhe të prokurorisë.
Kush po abuzon me fëmijët me shëndetin e tyre? Këtë pyetje drejtojnë prindërit e Durrësit, sepse edhe punonjësit e policisë, edhe ata të prokurorisë, edhe ata të shëndetësisë, i kanë fëmijët e tyre në këto institucione. Për hir të fëmijëve të tyre, të gjejnë e të vënë përpara drejtësisë ata që abuzojnë.
/K.H. portali DurresLajm/