Një vajzë 8-vjeçare, nxënëse në klasë të tretë në një shkollë fshati në Tepelenë është dhunuar vazhdimisht nga mësuesja e saj.

“Fiks Fare” publikoi mbrëmë skandalin e radhës në arsim, ku një mësuese pranon se dhunon psikologjikisht dhe fizikisht nxënësen e klasës së saj.

Mësuesja Rudina Çibuku pranon se e ka sharë dhe goditur disa herë nxënësen, duke u justifikuar se vajza 8 vjeçare është fëmijë i vështirë

Denoncimi

Gazetarët e Fiksit shkuan në Tepelenë, në shkollën "Xhevi Çela" në fshatin Izvor. Takuan Esiadën dhe mamin e saj. Xhevo Çela tregon dhunën, ndërsa thotë se kjo dhunë ka sjellë acarim të vajzës, deri aty sa nuk do të shkojë në shkollë. Mamaja e Esiadës thotë për Fiksin se është shumë e shqetësuar për vajzën e saj, pasi ka një vit e gjysmë që mësuesja e saj ushtron dhunë të vazhdueshme. "Vajzën ma rreh mësuesja, i thotë budallaçkë, hajdute, i përplas kokën në dërrasë" shprehet Xhevoja me lot në sy. Ajo ka kërkuar disa herë ndihmën e drejtorit të shkollës, por që asnjëherë nuk ka marrë zgjidhje. Kjo e ka detyruar ti drejtohet Fiksit. "Ju lutem më ndihmoni e kam litarin në fyt" thotë ajo.

Ditari: Dua ta vras mësuesen, të iki nga shtëpia

Vajza e mitur ka shkruar në fletore për të gjitha shqetësimet në shkollë. Ajo ka mbajtur një ditar, duke shkruar se mësuesja i ka përplasur kokën në dërrasë të zezë. Madje ajo ka shkruar se donte ta vriste mësuesen dhe të ikte nga shtëpia.

Ndërkohë, para kamerës së Fiksit, dhe në shoqërinë e nënës së saj, Esiada tregoi për dhunën e mësueses. "Mësuesja më rreh shumë, më thotë budallaçkë, do të shtypë bota me këmbë, më përplas kokën në dërrasë, nuk dua të shkoj më në shkollë" këto janë disa nga fjalët e vajzës së vogël të familjes Çela.

Kamera e fshehtë: Si sillet mësuesja në klasë

Pas denoncimit, Fiksi sjell me zë dhe figurë mënyrën si sillet mësuesja në klasë, ajo gjithë kohës bërtet ndërkohë që Esiadës i merr edhe kuletën e mjeteve mësimore, pasi i duket e dyshimtë se mund të ketë kamera. Vajza qan që i merr kuletën, ndërkohë ajo e kërcënon se do e çojë tek drejtori. "Hajde të shkojmë tani bashkë tek drejtori, e para se ke ardhur me vonesë në shkollë dhe e dyta se edhe ti më ke çuar mua tek drejtori" bërtet mësuesja. Nga fjalët e mësueses dallohet hakmarrje ndaj vajzës.

Ballafaqimi në drejtorinë e shkollës

Në ballafaqimin që bëhet para gazetarëve midis mësueses dhe drejtorit të shkollës, mësuesja pranon se e ka ofenduar vajzën, i ka thënë edhe vjedhacake kur ajo ka marrë lapsat e shokëve, po ashtu e ka ofenduar kur ka qenë në nerva e sipër. "Kokën në dërrasë nuk ja kam përplasur, vetëm i kam shkulur flokët", pohon mësuesja.

Ndërkohë, drejtori pranoi gabimin e tij. Ai tha në këtë rast drejtoria ka dështuar. "Është një rast që duhet të dinim ta menaxhonim. Nëse mësuesja nuk di të punojë me nxënës të vështirë, atëherë ajo është e paaftë" thotë Petrit Llaka, Drejtor i Shkollës "Xhevi Çela".

Ai quan totalisht fajtore mësuesen, ndaj pret nga drejtoria arsimore një vendim të rëndë për të, por nëse nuk do vijë ky vendim atëherë do i ndryshohet klasa mësueses.

Psikologia: Mësuesit duhet të testohen nga ana psikologjike,fëmija është në depresion

Për të gjitha këto fakte tronditëse, gazetarët e Fiksit i'u drejtuan psikologes Denada Toçe për të shpjeguar këtë situatë dhe gjendjen e fëmijës. Sipas saj, fëmija është në depresion. Fakti që ka arritur të shkruaj një deklaratë kaq të fortë në ditar, gjendja e saj është e rënduar. Për këtë arsye duhet të bëjë seanca me psikologë. "Gjurmët tek fëmija janë të thella ndaj duhet të ketë trajtim të vazhdueshëm" thotë psikologja.

/Top Channel/