Ministri i Brendshëm francez Bruno Le Roux është përfshirë në një skandal. Sipas mediave në vend, ai ka punësuar vajzat e tij 15 dhe 16-vjeçare si asistente parlamentare. 

Le Roux është kërkuar në takim urgjent nga kryeministri Bernard Cazeneuve për të dhënë sqarime rreth lajmeve të publikuara në një emision të televizionit francez TF1, “Quotidien”, sipas të cilit, ai ka punësuar në rolin e asistenteve parlamentare, dy vajzat e tij minorene.

Dy vajzat kanë nisur të punojnë për babanë e tyre në parlament kur ishin ende në shkollë të mesme, me kontratë që parashikonte një pagë në total prej 55 mijë eurosh. 

Në mënyrë të veçantë, njëra nga vajzat ka pasur postin e asistentes së parlamentit ndërsa frekuentonte një kurs përgatitor për në universitet, ndërsa tjetra bënte stazhin në Belgjikë. 

Ministri u shpjegoi autorëve të emisionit se bëhej fjalë për një punësim të përkohshëm gjatë muajve të pushimeve verore dhe që vajzave iu duhej për CV-në e tyre. Por sipas emisionit francez “Quotidien”, vajzat e ministrit të Brendshëm francez deri tani kanë 14 dhe 10 kontrata pune secila. /tvklan.al/