Banorët e pallatit numër 1062, në lagjen nr.7 në Durrës, në rrugën “26 nëntori” kanë zhvilluar sot një protestë. Shkak është bërë njoftimi që ju ka ardhur për prishje të pallatit 6-katësh, nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, ndërsa ishin në pritje të restaurimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Nga grupi i konstatimit, pallati ishte vlerësuar me dëme të nivelit DS3 në mure, ndërsa akt-ekspertiza e thelluar e Institutit të Ndërtimit e ka klasifikuar DS4 dhe ka vendosur për demolimin e godinës. Banorët kanë në duar dy vendime që bien ndesh me njëra tjetrën. 

Pallati numër 1062 në Durrës është i pari për të cilin Inspektoriati i Ndërtimit ka dhënë vendimin për prishje që në 26 shkurt, ndërsa DurrësLajm ka siguruar dokumentin në bashkinë e Durrësit, ku në faqe të parë të ekspertimit është shënuar “Voda”. Këshilli Bashkiak, në datë 23 prill, ka miratuar vendimin për prishje.

Në këtë mbledhje online, këshilltarëve nuk ju është paraqitur asnjë relacion apo listë banesash për prishje, duke bërë që dy këshilltarë të cilët jetojnë në këtë pallat të votojnë për prishjen e tij, pa e ditur se votonin prishjen edhe të banesave të tyre.

Edhe këshilltarët e Këshillit Bashkiak edhe banorët që jetojnë në këtë pallat, e mësuan krejt rastësisht një ditë më parë vendimin teksa ju trokiti në derë policia dhe ju kërkoi të braktisnin pallatin.  

Pallati nr.1062 ka 36 apartamente nga 18 në secilën hyrje të tij. Një hyrje me 18 apartamente ka rezultuar me dëme të vogla. Hyrja tjetër e pallatit ka rezultuar me dëme më të mëdha. sipas ekspertëve privatë që kanë kontaktuar vetë banorët, 9 apartamente kanë probleme për të cilat duhet ndërhyrje. Një apartament është i zëvendës ministres së brendshme, Rovena Voda. Por banorët janë të mendimit se nuk mund të largohen nga pallati e të prishet objekti duke lënë të pastrehë 27 familje të tjera.

Në Durrës janë me dhjetëra e dhjetëra objekte të shkatërruar nga tërmeti, të braktisur e pa njerëz, ndërsa Instituti i Ndërtimit vendos për prishjen e këtij pallati, ku banojnë njerëzit nga kati i dytë në të gjashtë. Vetë fakti se Instituti i Ndërtimit mori në shqyrtim të parin këtë pallat për t’i bërë akt-ekspertizën e thelluar, ndërsa Këshilli Bashkiak në mënyrë të fshehtë miratoi prishjen e tij, ka lënë shumë dyshime tek banorët e pallatit. Për çfarë arsye Këshilli Bashkiak nuk bëri publike listën me 12 objektet që u miratuan në mbledhjen e 23 prillit për t’u shembur, njësoj siç veproi sot me vendimet që mori për prishjen e pallatit të Vip-ve dhe të një 13-katëshi, në lagjen nr.17, pranë ndërmarrjes së Ujësjellësit?

K.H.