Punësimet politike në institucionet shtetërore tashmë janë mëse të njohura. Nuk kishin si të ngeleshin jashtë vorbulle institucionet në Durrës apo mbiemrat e fiseve ‘të njohura’ në qytetin bregdetar.
Në Autoritetin Portual Durrës, ku dihet që rrogat janë më të majme se në çdo institucion tjetër edhe ato të rangut ministror, ky fenomen është më i përhapur. Burime të sigurta për gazetën Bulevard, kanë bërë të ditur se, shumë prej të punësuarve fiktivë në katër vitet e shkuara janë nga kryeqyteti, nipi i…mbesa e.. etj etj, deri te bashkëshorti i ish-Ministres së Integrimit në kabinetin "Rama", Klajda Gjosha.
Mësohet se, bashkëshorti i Gjoshës, Adrian Gjoni, me të cilin u celebrua në martesë vetëm pak muaj para se Gjosha të zinte kolltukun ministror në qeverisjen 4-vjeçare 2014-2017, ka qenë me funksion atë të këshilltarit Koordinatorit të APD-së, vend i cili është krijuar enkas për burrin e ministres.
Ky post, nuk ka ekzistuar më herët në Autoritetin Portual Durrës, pra ka qënë vetëm një këshilltar koordinativ, por ka qenë mbledhja e bordit drejtues në muajin shkurt të 2017, që ka zgjeruar në 2 poste paralele Këshilltarë Koordinatorë të drejtorit ekzekutiv, z.Aleksandër Lipivani.
Natyrisht, rroga e majme prej rreth 1mln e 20 mijë lekë të vjetra në dorë (neto) apo dhe 1mln e 200 bruto, nuk kishte si të shpetonte nga vëmendja e Ministres Gjosha, e cila falë një kontributi të shkurtër në strukturat e LSI arriti majat jo vetëm për vete por edhe për familjarët e saj.
Bashkëshorti i Klajdës, Adriani, sipas burimeve, nuk është paraqitur asnjëherë në ambientet e punës në Drejtorinë e APD-së, përveç ndonjë rasti që duhej të dukej korridoreve të këtij institucioni për të mbyllur gojët e "liga" që i bënin borderonë dhe nuk e dinin se kush ishte ky person që trajtohej me këtë rrogë.
Por si arriti të punësohet burri i ish-Ministres në Portin e Durrësit?
Pas emërimit të Aleksandër Lipivanit si drejtor ekzekutiv i APD, (nëntor 2016), ky i fundit kishte kontakte të ngushta me LSI e Tiranës duke marrë herë pas here orientime për punësimet apo dhe politikat e brendshme të institucionit, mori “urdhër” të hapte një vend pune enkas për bashkëshortin e Klajdës në institucionin që ai drejtonte.
Dhe duke qenë se fjala e Ministres Gjosha dhe pozicioni i saj në LSI si kryetare e Forumit të Gruas, LGI ishte urdhër për këdo drejtues në rang kombëtar apo rajonal, e detyroi Lipivanin të vepronte me shpejtësi për të krijuar enkas vendin e punës për Ardian Gjonajn, Këshilltari Koordinativ i dytë i drejtorit ekzekutiv.
Ky vendim i Lipivanit, në atë kohë krijoi jo pak pakënaqësi dhe polemika në strukturat e LSI në Durrës, madje shumë gjëra u thanë e stërthanë në korridoret e kësaj partie por, e gjithë situata kaloi në heshtje, duke qenë se Ardiani nuk u duk asnjë ditë në zyrën e tij të gjithë hamendësuan se ishte thjesht një thashethemnajë.
Por, jo! Ardian Gjonaj, bashkëshorti ligjor i Ministres Gjosha ka mbajtur postin e Këshilltarit Koordinativ të Drejtorit Ekzekutiv të APD, për afro 8 muaj, deri një javë para se të dorëhiqej kreu i APD, Aleksandër Lipivani.
Vërtetësia e këtij fakti është lehtësisht i verifikueshëm në regjistrin themeltar të punonjësve te Autoritetit Portual Durrës, të cilës i është referuar dhe gazeta "Bulevard".





