6tetor 2015 – Skandali i transmetuar në Fiks Fare, ku një paciente u sorollat nga mjekët e QSUT-së derisa vdiq ka vënë në lëvizje Ministrinë e Shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj deklaron se është ngritur menjëherë grupi i punës për të analizuar këtë rast.

“Ne po analizojmë rastin, në dy aspekte. Së pari, për të analizuar pjesën administrative brenda shërbimit të urgjencës dhe hallkave të atij shërbimi. Si dhe po vlerësojmë çfarë pjese lidhet me zbatimin e etikës mjekësore të mjekëve që janë të përfshirë në atë rast, për t’ia përcjellë Urdhrit të Mjekut”, tha Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë.

Sipas videos së transmetuar, pacientja u dërgua në shtëpi me pretekstin se gjatë fundjavës nuk kishte mjekë në urgjencë. Edhe orët e fundit të jetës ajo u neglizhua nga mjekët e reanimacionit të QSUT-së, derisa ndërroi jetë.

/portali DurresLajm/