Drejtuesit e UFC-së kanë konfirmuar sot se kanë nisur një hetim për duelin midis Tae Hyun Bang dhe Leo Kuntz, të zhvilluar në Seul gjatë fundjavës së kaluar dhe të vlefshëm për “UFC Night Fight 79”. Dyshohet se kjo sfidë ishte e fiksuar dhe se rezultati ishte paracaktuar më parë, ndaj dhe policia koreano-jugore ka nisur hetimet. Mediat aziatike konfirmojnë se ka qenë vetë Bang ai që ka deklaruar se e ka trukuar këtë sfidë, pasi ka marrë kërcënime me vdekje nga ana e disa personave që vijnë nga bota e krimit.
Sipas Bang, ata kishin vënë bast për fitoren e Kuntz, ndaj e kishin kërcënuar që ta humbiste ndeshjen, ndonëse ai ishte favorit. Ndërsa policia mendon se Bang ka marrë një rryshfet me vlerën e 100 milionë won (87 mijë dollarë), duke vënë më pas 50 mijë dollarë bast për fitoren e rivalit të tij. Gjithsesi, për momentin gjithçka është ende në fazë hetimi, por sportistit dhe 3 anëtarëve të stafit të tij i është kërkuar të mos largohen nga Koreja. Nëse konfirmohet trukimi, kjo do të ishte hera e parë në historinë e UFC-së që verifikohet një rast i tillë. Fituesi Kuntz, pas ndeshjes, tha: “Duket sikur UFC-ja dinte se po ndodhte diçka e çuditshme. Mësova se për sfidën time ishin vënë baste rekord për artet marciale mikse. Unë e pata të vështirë të fitoja dhe mendoj se nuk ka qenë sfidë e trukuar”. Kuntz fitoi me vendim, jo-unanim të gjyqtarëve.