Një skandal ka tronditur qytetin e Napolit, ku spitali Ospedale San Giovanni Bosco rezulton se është përdorur nga organizata kriminale Camorra si një qendër operative për mashtrime të shumta financiare dhe aktivitete të paligjshme. Hetimet kanë çuar në arrestimin e katër personave, përfshirë edhe një avokat napolitan, ndërsa disa mjekë dhe profesionistë të tjerë janë nën hetim.

Sipas autoriteteve, gjithçka rrotullohej rreth shtrimeve dhe certifikatave mjekësore të paligjshme, të cilat përdoreshin për të realizuar mashtrime, sidomos ndaj kompanive të sigurimeve. Skema drejtohej nga klani criminal “Clan Contini”, pjesë e fuqishme e Alleanza di Secondigliano. Përmes presioneve dhe kërcënimeve ndaj personelit mjekësor, si dhe ndërmjetësimit të avokatit të arrestuar, siguroheshin dokumente dhe raporte të rreme mjekësore.

Hetimet, të kryera nga karabinierët dhe Guardia di Finanza, nën koordinimin e Drejtorisë Antimafia të Prokurorisë së Napolit, zbuluan një rrjet të gjerë kriminal. Të arrestuarit akuzohen për pjesëmarrje në organizatë mafioze të armatosur, korrupsion, dëshmi të rreme, falsifikim dokumentesh zyrtare, zhvatje, fajde, pastrim parash dhe riciklim të të ardhurave kriminale.

Në praktikë, anëtarët e Camorrës organizonin aksidente të rreme rrugore, duke rekrutuar edhe dëshmitarë të rremë. Më pas, përmes dokumenteve mjekësore të falsifikuara nga brenda spitalit, kërkonin dëmshpërblime nga kompanitë e sigurimeve. Fitimet përdoreshin për të blerë pasuri të paluajtshme, vepra arti dhe investime të tjera, me qëllim pastrimin e parave.

Avokati i arrestuar kishte një rol kyç në këtë mekanizëm. Ai shërbente si ndërmjetës mes anëtarëve të burgosur të klanit dhe familjarëve të tyre, duke menaxhuar shpërndarjen e parave. Gjithashtu ofronte këshilla për investime dhe ndihmonte në fshehjen e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme. Sipas hetuesve, ai kishte kontakte edhe me zyrtarë publikë të korruptuar për të marrë informacione konfidenciale.

Ky nuk është rasti i parë që ky spital përfshihet në skandale të tilla. Në një hetim të mëparshëm ishte zbuluar se klani kishte kontrolluar madje edhe shërbimet e brendshme të spitalit, si lokalin dhe makinat automatike të pijeve e ushqimeve. Përmes kërcënimeve dhe lidhjeve korruptive, organizata kishte siguruar favore të shumta, përfshirë shtrime spitalore jashtë procedurave ligjore, lëshim të certifikatave të rreme për të përfituar lirime nga burgu, si dhe transportim të paligjshëm të trupave me ambulancë në vend të shërbimeve funerale të autorizuara.

Autoritetet theksojnë se hetimet vazhdojnë dhe se mund të ketë arrestime të tjera në ditët në vijim./ANSA/