Të enjten u përballën në fushën e lojës, në gjysmëfinalen e Botërorit U-20, ndërsa natën e mbrëmshme janë përleshur në hollin e hotelit. Ngjarja ka përfshirë futbollistët e ekipeve kombëtare të Venezuelës dhe Uruguajit, lajm që është konfirmuar nga drejtusit e FIFA-s.

“Mund të konfirmojnë se ka patur një incident të rëndë, një ngjarje që na mërzit pa masë, pasi FIFA është gjithnjë në mbështetetje të “Fair Play”, si në fushë ashtu dhe jashtë saj”, thuhet në një deklaratë. Ditën e enjte, dy skuadrat amerikano-latine u përballën në gjysmëfinale dhe Uruguaji, që ishte favorit dhe udhëhiqte 1-0 deri në minutën e 90-të, nuk arriti të fitojë, pasi Venezuela barazoi në shtesë pas një gabimi të portierit.

Më pas, Venezuela fitoi me penallti dhe u kualifikua për në finalen e Botërorit (luan sot ndaj Anglisë). Por ajo sfidë duket se ka lënë plagë të hapura, ndaj në hotel ka patur përplasje fizike, shkelma e grushte mes lojtarëve por edhe stafeve përkatëse. Është dashur ndërhyrja e agjentëve të policisë që të qetësohet situata.