Gazeta “Daily Telegraph” pothuajse çdo ditë po publikon ngjarje dhe detaje të reja për baltën në të cilën është zhytur futbolli anglez, nisur nga videoja e famshme e ish-trajnerit të kombëtares së “Tre luanëve”, Sam Allardyce, i cili “u kap mat” teksa ndihmonte dy agjentë futbolli (të maskuar) për të shkelur rregullat e FA-së. Kësaj here, e përditshmja britanike ka publikuar një video tjetër, ku protagonist është ish-trajneri i skuadrave angleze Tottenham, West Ham, Portsmouth, Southampton, Tottenham dhe QPR, Harry Redknapp. Siç shihet dhe dëgjohet në video, ai e thotë hapur se futbollistët e tij dikur vinin baste për rezultatin e ndeshjeve në të cilat luanin vetë. 69-vjeçari Redknapp theksoi se nuk e mendonte se ky veprim (sot i ndaluar) në atë kohë binte ndesh me rregulloren e Federatës Angleze. Dhe, faktikisht, rregullat e shtëpisë së futbollit në ishull e theksojnë se lojtarët nuk lejohen të vënë baste për ndeshjet e e tyre dhe – në rast se e trajnerët e kuptojnë këtë – duhet të raportojnë në departamentin përkatës.