Një ditë më parë, në emisionin “Opinion” gazetari Artan Hoxha ngriti shqetësimin se sasi të mëdha droge kalojnë përmes portit të Durrësit, pavarësisht se mjetet skanohen, ndërkohë që ato kapen nga skaneri italian që është 10 vite më i vjetër sesa skaneri që përdor koncesionari në portin më të madh në vend.
E si për të vërtetuar edhe një herë këtë dështim të skanerit të Durrësit në evidentimin e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike përmes këtij porti, mediet lokale në Bari raportojnë sot për ndalimin e një shtetasi shqiptar, i cili është kapur në portin e vendit fqinjë me 3.5 kg marijuanë, të fshehur në makinë.
Atë që skaneri i Durrësit nuk arriti ta kapte, e zbuloi skaneri i portit të Barit.
Sipas medieve lokale, shqiptari e kishte mbështjellë lëndën narkotike me material plumbi, për t’i shpëtuar skanerit.
Por pavarësisht kësaj mase paraprake, autoritetet italiane të doganës arritën ta zbulonin lëndën narkotike dhe të arrestonin shtetasin shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije.
Hetimet vazhdojnë për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.





