DURRËS, 6 nëntor 2014 –  11 javë të Kategorisë Superiore kanë dhuruar luftë të fortë sportive dhe mbi të gjitha konkurencë të jashtëzakonshme. Teksa kampionati ndal hapin për t'i lënë vendin Kupës së Shqipërisë, tashmë është momenti për t'i hedhur një sy statistikave, të cilat tregojnë më mirë dhe notën që meriton të marë sezoni deri më tani. Në 55 ndeshje të luajtura janë regjistruar 43 fitore, 29 prej të cilave nga skuadrat vendase dhe 12 janë takimet që kanë përfunduar në barazim. 97 është numri i golave të shënuar në këto 11 javë me një mesatare 1.76 gola për ndeshje. Një ecuri e mirë po të kihet parasysh fakti që si rrallë ndonjëherë në 10 skuadrat e elitës së futbollit shqiptar ka portierë të nivelit maksimal, teksa nuk kanë munguar gjatë merkatos edhe investimet në mbrojtje. Rezultati më i përsëritur në 55 ndeshjet e luajtura është fitorja minimale për skuadrat vendase 1-0, që është regjistruar në 10 ndeshje. Më pas rezultati më i përsëritur është 2-0 për vendasit që është regjistruar në 9 takime dhe barazimi pa gola i regjistruar në 8 sfida të deritanishme. Fitorja më e pastër është ajo 1-5 e Teutës ndaj Elbasanit ndërsa suksesi më i thellë i përsëritur është 3-0 që është regjistruar në 5 takime të këtij edicioni. Partizani mban vendin e parë në klasifikim, ruan kreun si mbrojtja më e mirë e kampionatit, por gjithashtu ka edhe kreun përsa i përket pikëve të mara në shtëpi, me 16 të tilla nga 24 që ka në total. Skuadra më e mirë në transfertë pas 11 javëve të luajtura është Kukësi me 10 pikë të grumbulluara në 6 ndeshje me një mesatare 1.66 pikë për ndeshje, por në raport me sfidat e luajtura në transfertë, nënkampionët e ndajnë vendin e parë me Partizanin që ka grumbulluar 8 pikë në 5 transferta me mesatare 1.6 pikë për ndeshje. Interesant është fakti që në 10 golashënuesit më të mirë të kampionatit janë të përfaqësuara 7 nga 1o ekipet e këtij edicioni, cka tregon se pavarësisht shkëputjes së Pejic në krye të këtij klasifikimi, edhe këtu gara parashikohet të jetë e ashpër.