Ministria e Arsimit ka reaguar pas zbulimit të skandalit me shitjen e diplomave dhe certifikatave false nga Tirana për shtetas italianë, përmes kolegjit universitar ‘Wisdom’.
Ministria e Arsimit dhe Sportit thotë se për periudhën 2023-2024, ka nisur verifikimin e pajtueshmërisë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit Universitar WISDOM.
Pas verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së kontrollit në këtë institucion, në përfundim të tij, grupi i punës, në korrik të këtij viti, ka përfunduar raportin final të kontrollit, duke konstatuar shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar WISDOM për periudhën e ushtrimit të kontrollit.
Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, MAS thotë se po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar WISDOM.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, thotë se nuk ka certifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar WISDOM.
Zbulimi i skemës së mashtrimit
Pas një hetimi të gjatë të Guarda Di Finanza në Itali, janë vënë në pranga 9 persona, mes të cilëve edhe pronari i Wisdom University, Savino Cianci, siç rezulton në dokumentet e qendrës kombëtare të regjistrimit të biznesit në Shqipëri.
Ata akuzohen për një skemë mashtrimi me dhënien e diplomave fiktive, teksa sipas mediave italiane hetimet nisën pas një denoncimi të bërë nga një qytetar.
Konkretisht në pranga kanë rënë Maria Saveria Modaffari, 38 vjeçe, Fortunata Giada Modaffari, 33 vjeçe, Maria Attisano, 57 vjeçe, Lucia Catalano, 44 vjeçe, Savino Cianci, 60 vjeç, Leonardo Catalano, 42 vjeç, Marco Lombardi, 52 vjeç, Antonio Caporale, 33 vjeç dhe Maria ‘Mdaraa, 36 vjeçe.
Referuar mediave italiane, thuhet se ata merrnin afërsisht rreth 8 mijë euro për çdo diplomë apo vërtetim fals që u jepej “studentëve”. Sipas dosjes hetimore, mediat italiane shkruajnë se ka pasur edhe raste kur u janë dhënë në këmbim një çantë e një firmë të njohur, me vlerë 1200 euro.