Tiranë, 21 gusht 2014 – Shqipëria do të fillojë zbatimin e sistemit bonus-malus për sigurimin e automjeteve në fillim të vitit të ardhshëm. Kompanitë e sigurimit kanë pasur takime me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për të diskutuar rreth masave që duhet të merren për të zbatuar këtë mekanizëm.
“Panorama” shkruan se me shumë gjasa modeli që do të zgjidhet për zbatim në vendin tonë do të jetë ai italian, por me disa modifikime. Vendimi për modelin pritet të merret brenda shtatorit.
MODELI ITALIAN
Në Itali sistemit bonusmalus ka vite që zbatohet dhe ka në total 18 klasa. Çdo klasë ka një çmim të ndryshëm dhe nga klasa e parë deri tek e fundit ai vjen duke u rritur. Diferenca e çmimit të klasës së 18-të për policën e sigurimit është sa trefishi i çmimit të klasës së parë. Pra, nëse sigurimi i një mjeti për një individ që i përket klasës së 18-të bëhet me 150 euro, për individin në klasën e parë ky çmim është 50 euro. Të gjithë ata që futen në mekanizëm futen menjëherë në klasën e 10-të, e cila përfaqëson edhe çmimin real të policës së sigurimit me riskun e llogaritur sipas mesatares së tregut. Me kalimin e viteve, drejtuesit e mjeteve lëvizin nga njëra klasë në tjetrën sipas historikut të dëmeve që krijon. Kështu, për çdo dëm të shkaktuar një drejtues penalizohet me zbritje të dy klasave. Pra, dikush që është në kategorinë 10 dhe kryen një dëm, automatikisht shkon në klasën 12. Penalizmi (malus) do të thotë edhe një kosto më të lartë police për t’u paguar. Një drejtues automjeti që gjatë një viti nuk kryen asnjë aksident apo dëm, i jepet bonus rritja me një kategori. Pra, nga 10 kalon në kategorinë 9, çka do të thotë një policë më e lirë sigurimi për automjetin.
MODELI NË SHQIPËRI
Modeli italian që është propozuar është menduar që të ketë disa modifikime për t’iu përshtatur tregut shqiptar. Kështu mendohet që edhe modeli shqiptar të ketë 18 klasë apo kategori, sa i përket ndarjes së çmimeve të policave. Kategoria e parë do të jetë më ekonomikja, kurse ajo e fundit më e shtrenjta. Në mënyrë që të mos penalizohet askush nga futja e sistemit bonusmalus për herë të parë në funksion, viti i ardhshëm do të konsiderohet si vit zero, pra të gjithë drejtuesit e mjeteve do të hyjnë si të barabartë në treg dhe do të fillojnë nga e njëjta kategori. Momentalisht kompanitë e sigurimit shprehen se po mendohet që hyrja të jetë në klasën e 14-të. Pra të gjithë do të paguajnë policën e sigurimit të kategorisë së 14-të, që shpreh edhe një çmim pa penalizim. Pjesë e kësaj kategorie do të bëhet në vijim edhe çdo shofer i ri që hyn në treg. Po kështu po shihet që penalizimi të jetë ndryshe nga Italia. Formula mendohet që të zbresë tri kategori cilindo që shkakton një dëm apo aksident. Pra nga klasa e 14-të dikush që shkakton dëm, kalon automatikisht në klasën 17. Kurse për të gjithë ata që përgjatë një viti nuk shkaktojnë asnjë dëm apo aksident, bonusi do të jetë me një vit, pra nga kategoria 14 në 13 dhe në rast se edhe vitin e dytë nuk ka asnjë dëm, në 12 e kështu me radhë deri në kategorinë 1.
/gazeta “Panorama”/





