TIRANË – Ministri i Punës Spiro Ksera ka deklaruar se gjatw kwtij viti do tw aplikohet një skemë e re për ndihmën ekonomike ndaj personave me aftësi të kufizuar duke shmangur abuzimet që janë hasur deri tani. 

‘Viti 2013 të jetë viti i aplikimit të një skeme të re, ku të gjitha problematikat që ne kemi evidentuar prej vitesh tani të minimizohen. Pra skema do jetë më transparente dhe do të evidentojë të gjitha ato familje që me të vërtetë kanë nevojë për tu ndihmuar”,- tha Ksera. 

Ministri deklaroi gjithashtu se mirëkupton protestat e personave me aftësi të kufizuara për marrjen e ndihmës, por siguroi se gjatë vitit 2013 nuk do të ketë problematika. 

“Komisionet mjeko-ligjore të caktimit të aftësisë së kufizuar kishin rritur në mënyrë të jashtëzakonshme numrin e përfituesve gjë që ne nuk e kishim parashikuar në buxhetin tonë. Por, për disa ditë thesaret do të vijojnë dhe problematikat që kemi pasur jo për fatin e qeverisë gjatë vitit 2012 nuk do i kemi më, siguroi ministri. 

Spiro Ksera gjatë deklaratës për bilancin e punës për vitin 2012 ka thënë se është arritur të ulet numri i të varfërve dhe është rritur numri i të punësuarve, ndërsa objektiv mbetet rritja e masës së ndihmës ekonomike për familje në masën 5.6%, ulja e papunësisë nën nivelin 13% dhe mbështetje për rritjen e të ardhurave për pensionistët.