Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ai nuk ka nevojë për ide “primitive” nga ish-presidenti Donald Trump mbi mënyrat për të zgjidhur luftën me Rusinë, por për ide të vërteta.
“Më duhen argumente shumë të forta. Nuk kam nevojë për një ide fantastike, më duhet një ide e vërtetë, sepse jetët e njerëzve janë në rrezik”,-tha Zelenskyy për Politico.
Presidenti tha se ishte i hapur për të dëgjuar propozimet e Trump për luftën, ndërsa shtoi se “nëse marrëveshja është që ne thjesht të heqim dorë nga territoret tona, atëherë është një ide shumë primitive”.
Zelenskyy paralajmëroi se ndikimi rus kishte depërtuar sistemin politik amerikan dhe hodhi poshtë idenë, e mbështetur nga aleatët e Donald Trump, se Ukraina mund t’i jepte fund luftës me shpejtësi vetëm duke bërë lëshime masive territoriale.
Ndër të tjera, ai tha se i kishte kërkuar privatisht Trump përmes ndërmjetësve që të udhëtonte në Ukrainë dhe se Trump kishte shprehur interes, por nuk ishte zotuar ende për të bërë një udhëtim.
Zelenskyy tha se ishte i hapur për të dëgjuar propozimet e Trump për luftën, ndërsa e bëri të qartë se ishte shumë skeptik.
Çdo marrëveshje që i jep tokë presidentit rus Vladimir Putin në këmbim të përfundimit të armiqësive, tha Zelenskyy, thjesht do të hapte rrugën për më shumë luftëra pushtuese ruse në të ardhmen.
Trump ka qenë një skeptik i vazhdueshëm i përpjekjeve të luftës dhe një kritik i Zelenskyy, dhe së fundmi ai tha se do të inkurajonte Rusinë të vepronte pa u ndëshkuar kundër anëtarëve të aleancës së NATO-s që nuk shpenzojnë shuma të mëdha parash për mbrojtjen.
Presidenti Joe Biden e ka sulmuar Trumpin në fushatë si një kërcënim për stabilitetin botëror dhe si një strehues i Putinit dhe diktatorëve të tjerë të huaj.