Deputeti i PD-së Tritan Shehu e ka cilësuar një tendencë për grusht shteti brenda parlamentit zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare online.

Ai tha se kjo është një çështje thelbësore e demokracisë dhe kërkohet t’iu mbyllet goja deputetëve, pasi komisionet janë vendet ku zhvillohen debatet.

“Është çështje e procedurës, se është çështje e demokracisë, e lirisë, e shprehjes së deputetëve. Sepse këtu kemi një tendencë për grusht shteti brenda parlamentit. Për t’i mbyllur gojën deputetëve. Pra, është një çështje thelbësore e procedurës parlamentare. Komisionet janë bazë e diskutimeve dhe gjithmonë është thënë që të mos bëjmë diskutime të mëdha në seancë plenare, por t’i bëjmë në komisione, me shumë të drejtë.”, tha Shehu.

Ai propozoi madje bojkotin e komisioneve nëse zhvillohen online mbledhjet.

“Kot po rrimë këtu dhe kot do shkojmë në komisione. Unë propozoj këtu. Ndryshe ne mos të marrim pjesë në komisione. S’kemi pse të marrim pjesë në komisione, për t’u bërë lolo e disa videove. Mos të marrim pjesë në asnjë komision, që të mos cenohet demokracia shqiptare. Boll me të tilla gjëra, boll me shakara, lodra.”, deklaroi Shehu.