Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është mposhtur mbrëmë me rezultat minimal 1-0 ndaj Uruguait në javën e fundit të fazës së grupeve të Kupës së Amerikës dhe i dha lamtumirën këtij kompeticioni. Kjo disfatë i ra rëndë Christian Pulisic, i cili pas ndeshjes pati një “konflikt” interesant me arbitrat. Amerikanët u përpoqën në çdo mënyrë për të arritur të paktën një barazim, por nuk ia dolën. Në fund mbetën tejet të pakënaqur me arbitrimin dhe këtë më së miri e tregoi Christian Pulisic.

Pasi Ortega vërshëlleu fundin e lojës, Pulisic iu afrua atij dhe ndihmësve të tij dhe u tregoi atyre se duhet të shkonin të festonin me uruguajanët, duke aluduar se ata i ndihmuan të fitonin me vendimet e tyre. Megjithatë, kjo qasje nuk iu pëlqeu gjyqtarëve. Pulisic iu afrua atyre dhe u dha dorën në fund, por ata nuk pranuan t’i jepnin dorën dhe treguan se çfarë mendojnë për sjelljen e tij.