Është promovuar në Durrës në një ambient shkrimtarësh e artdashësish romani i parë i autores Lumturi Kodra.
Lumturi Kodra ka quajtur romanin e saj të parë autobiografik “Ethet e Shpirtit”. Libri përshkruan jetën njerëzore, mes problemeve të shumta e herë-herë dramatike, ku objekt i sulmeve dhe viktimë e shoqërisë bëhet femra. Autorja ka sjellë në kapitujt e romanit me një tragjizëm të dhimbshëm ngjarje të frikshme deri në llahtari, me të cilën është përballur autorja në vitet e rinisë së saj tragjike, që arriti të mbijetojë mes llumit njerëzor të krimininelëve.
Ajo, sipas kritikës, është kthyer me këtë roman në një denoncuese të fuqishme të realitetit të rëndë shqiptar, duke përgjithësuar me fatin e vet fatin e qindra grave dhe vajzave shqiptare, të cilat pas hapjes së vendit pësuan drama dhe tragjedi të hidhura.
Redaktori Vullnet Mato thekson skenat rrëqethese dhe fatin e rëndë të saj që arriti të dalë nga kthetrat e banditëve monstruozë dhe që shkuan drejt pushkatimit. “Ethet e Shpirtit” del në dritë pas 3 librave me poezi të botuara nga autorja në harkun kohor të 2 viteve.
Redaktori Vullnet Mato dhe shkrimtari Agim Bajrami kanë vlerësuar sinqeritetin me të cilin është shkruar romani.
Autorja e “Etheve të Shpirtit” thotë se libri i saj është një jetëshkrim artistik i jetës personale. Mes skenave të rënda të jetës së saj dhe personazheve kriminale ajo nuk ka harruar që të sjellë në qendër të aksionit të romanit edhe një figurë shpirtmadhe që ka arritur t’i shpëtojë jetën nga torturuesit në një nga bunkerët e izoluar ku e kishin futur. Këtij njeriu, autorja me shpirtmadhësi, thekson se do t’i jetë mirënjohëse përjetë dhe për ta garantuar thënien për këtë ajo tregon se djalin e saj e ka pagëzuar me emrin e tij.
K.H.