Qeveria ka vendosur të tregohet optimiste sa i takon situatës energjetike për vitin 2023 duke parashikuar që shumicën e sasisë që do të duhet për të furnizuar vendin ta marrë nga kaskada e Drinit. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave mbi një skenar bazë të situatës energjetike tregojnë se në total për Furnizuesin e Tregut të Lirë pjesë e OSHEE Group është parashikuar një sasi energjie prej 5,469 GWh. Nga kjo sasi totale rreth 74 për qind apo 4,026 GWh parashikohet që të gjenerohet nga kaskada e cila është në administrimin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Financat nënvizojnë se në skenarin bazë elementët që janë marrë në vlerësim janë aplikimi i prurjeve mesatare shumëvjeçare, vënia në punë të asetit gjenerues termik të përkohshëm në Vlorë dhe shkëmbimeve me prodhimin e HEC-eve të vogla. Prurjet mesatare në kaskadë parashikohen të jenë në nivelin shumëvjeçar të tyre me 72.7 m3/s.

Me sigurimin e një sasie të konsiderueshme energjie nga prodhimi vendas duket se në parashikimet e qeverisë është zvogëluar ndjeshëm ekspozimi ndaj çmimeve në bursa të cilat në dy vitet e fundit i kanë kushtuar vendit qindra milionë euro. Të dhënat e Financave tregojnë se në skenarin bazë importet do të jenë 350 GWh apo 6 për qind e totalit të konsumit në vend që do t’i kalojë Furnizuesit të Tregut të Lirë. Çmimi mesatar për këto importe është parashikuar 315 euro/MWh duke bërë kështu që fondi total për këto importe të llogaritet 116 milionë euro.

Një pjesë e sasisë së energjisë është parashikuar të merret nga vendosja në punë e impianteve gjeneruese termike vendosur tashmë në Vlorë sipas një kontrate të nënshkruar më herët nga KESH me bashkimin e kompanive Exelerate Energy and Renco s.p.a.

Nga këto dy gjenerues parashikohet që të prodhohen 884 GWh me një kosto totale prej 164 milionë euro çka llogaritet të ketë një kosto prodhimi prej 185 euro/MWh dukshëm më ulët se çmimi i parashikuar i importit. Gjithsesi këto kosto importi janë të luhatshme me sezone dhe mund të ulen ndjeshëm në periudha të caktuara.

Për vitin 2023 qeveria ka parashikuar mbështetje buxhetore për sektorin e energjisë në vlerën 12 miliardë lekë teksa për vitin aktual totali i mbështetjes buxhetore dhe huave për këtë sektor llogaritet në 28 miliardë lekë.

Që nga pandemia parashikueshmëria për tregjet është bërë e vështirë dhe me luftën Rusi-Ukrainë kjo u bë thuajse e pamundur. Kriza e energjisë është tashmë globale dhe vendet e cilësojnë vitin 2023 si një vit edhe më sfidues pasi efekti zinxhir është shtrirë tërësisht në ekonominë globale.

2022-i ishte viti më i vështirë energjetik deri më sot, si rrjedhojë e mungesës së reshjeve në gjysmën e dytë të vitit dhe shtrenjtimit të ndjeshëm të energjisë në bursat ndërkombëtare. Sigurimi i sasisë së nevojshme të energjisë për të furnizuar vendin gjatë këtij viti i ka kushtuar qeverisë qindra milionë euro.

Të dhënat zyrtare të procedurave të prokurimit të publikuara nga KESH dhe të përpunuara nga “Monitor” për periudhën 1 Janar-6 nëntor tregojnë se totali i importeve ka prekur vlerën 406 milionë euro. /Monitor