Tiranë, 8 mars 2014 – Nga sot Komuniteti Musliman ka një kryetar të ri. Skënder Bruçaj është zgjedhur për të zëvendësuar Haxhi Selim Muçën, i cili nuk rikandidoi më për postin që e mbante prej 10 vitesh. Bruçaj u zgjodh me 88 vota pro kryetar i KMSH-së. Procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri u zhvillua në mënyrë të fshehtë. Nga 101 anëtarë që ka Këshilli i Përgjithshëm, në votim morën pjesë 99 vetë.

Pas përfundimit të mandatit të Kryetarit Haxhi Selim Muça, kandidaturat që fituan të drejtën për të garuar për këtë post ishin: z. Bujar Spahiu, nënkryetar i KMSH-së; Skender Bruçaj, nënkryetar i KMSH-së; Dorian Demetja, drejtor i Burimeve Njerëzore pranë KMSH-së. 

Këshilli i Përgjithshëm e shpalli H. Selim Muçën kryetar nderi dhe anëtar i përhershëm i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, me motivacionin: “Për kontributin e vyer në konsolidimin e vlerave fetare dhe atdhetare në shoqërinë shqiptare”. Muça pranoi se nuk do të kandidonte më për këtë post, sepse ishte i sëmurë dhe dëshironte t’ua linte vendin të rinjve.

H. Selim Muça i dorëzoi në shenjë simbolike Kryetarit të ri çallmën dhe xhyben e tij, duke i uruar suksese dhe mbarësi në këtë mandat pesëvjeçar. Më pas,  Bruçaj me dorë mbi Kur’an bëri betimin konform statutit përpara anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/