Një ditë pasi zgjedhjes, Skënder Hita është betuar si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Në fjalën e tij, në ceremoninë ku të pranishëm ishin edhe zv kryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, Kryepolici u shpreh se marrjen e kësaj detyre të re e sheh si përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve.
hitaj
Hita theksoi se prioritet i tij do të jetë lufta pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa shtoi se sfidë mbetet thellimi i rezultateve të mira dhe përmirësimi i imazhit të Policisë së Shtetit.
“Sot është ditë e rëndësishme e karrierës time, pas një rrugëtimi 25 vjeçar në uniformat blu, me dëshirën për t’u shërbyer pa kompromis qytetarëve dhe vendit, kam nderin të marr përgjegjësinë për këtë detyrë më të lartë. Këtë kurorëzim nuk e shoh thjesht si arritje personale, por si përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve dhe punonjësve të policisë së shtetit. Gjej rastin të falënderoj kryeministrin dhe qeverinë për besimin e dhënë si dhe çdo koleg me të cilin kemi ndarë këtë rrugëtim sakrificash.
I jam mirënjohës çdo efektivi të policisë që shërben çdo ditë me përkushtim. Nderim për dëshmorët e policisë dhe respekt për veteranët që mbeten burim frymëzimi për ne. Është punuar dhe sakrifikuar shumë deri më sot, por mbetet sfidë thellimi i rezultateve dhe përmirësimi akoma më shumë i imazhit të policisë sepse një polici e denjë matet me besimin që fiton çdo ditë nga qytetarët.”, u shpreh Hita.
Thelbësore, shtoi Hita, është edhe forcimi i sigurisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve.
“Prioritetet tona janë të qarta, lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke filluar nga radhët tona. Rritje akoma më shumë e parametrave të sigurisë në shkolla dhe çdo komunitet. Forcimi i rendit dhe sigurisë në territor, modernizimi i policisë përmes teknologjisë. Rritje akoma më shumë e transparencës dhe përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve. Forcimi më tej i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.”, u shpreh ai.
Më tej, ai shtoi se do të bëjë të mundur që Policia e Shtetit të jetë gjithmonë krah qytetarëve dhe ligjit. Sipas tij, të gjithë duhet të punojnë së bashku për një polici “që e fiton autoritetin përmes shërbimit dhe drejtësisë”.
“Të dashur qytetarë, Policia e shtetit është e juaja, do të jetë gjithmonë në krah të ligjit dhe në krah tuaj. Bashkëpunimi ndërmjet nesh janë thelbësor për të ndërtuar një shoqëri. Të dashur punonjës të medias, policia e Shtetit do të jetë e hapur dhe e përgjegjshme në komunikim. Të dashur punonjës të policisë së shtetit, do të jem mbështetësi juaj në rrugën e drejtë por edhe kërkues i lartë, sepse po përgatitemi për policinë e shtetit të një vendi. Të punojmë së bashku për një polici që e fiton autoritetin përmes shërbimit dhe drejtësisë”, u shpreh mes të tjerash Hita.
FJALA E PLOTË:
E nderuar Zëvendëskryeministre, znj. Koçiu,
I nderuar Ministër i Punëve të Brendshme, z. Llamallari,
I nderuar Kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes z. Bledar Çuçi.
Të nderuar oficerë ndërlidhës të policive partnere,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar kolegë,
Të dashur qytetarë,
Sot është dita më e rëndësishme e karrierës sime në Policinë e Shtetit.
Pas një rrugëtimi 25-vjeçar me uniformën blu, me dëshirën për t’iu shërbyer pa kompromis, qytetarëve, ligjit dhe vendit, kam nderin dhe përgjegjësinë të marr detyrën më të lartë në organizatën tonë.
Këtë kurorëzim nuk e shoh thjesht si arritje profesionale, por si një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve dhe ndaj çdo punonjësi të Policisë së Shtetit.
Gjej rastin e veçantë të falënderoj kryeministrin dhe qeverinë shqiptare, për besimin e dhënë, si dhe çdo koleg me të cilin kemi ndarë këtë rrugëtim sakrificash.
I jam mirënjohës çdo efektivi policie që shërben çdo ditë me përkushtim, si dhe familjeve të tyre, që mbajnë peshën e kësaj detyre.
Nderim për dëshmorët e Policisë dhe respekt për veteranët, që mbeten burim frymëzimi.
Është punuar e sakrifikuar shumë deri më sot, mbetet sfidë thellimi i rezultateve dhe përmirësimi akoma më shumë i imazhit të Policisë, sepse një polici e denjë matet me besimin që fiton çdo ditë nga qytetarët.
Policia nuk është thjesht një institucion që ofron shërbim, ajo është vendi ku çdo qytetar gjen mbështetje, drejtësi dhe besim.
Prioritetet tona janë të qarta:
-Lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke filluar nga radhët tona;
-Rritje akoma më shumë e parametrave të sigurisë në shkolla dhe në çdo komunitet;
-Forcimi i rendit dhe i sigurisë në të gjithë territorin e vendit;
-Modernizimi i Policisë përmes teknologjisë, përfshirë projektin madhor “Smart City” dhe trajnimeve, sipas standardeve më të mira evropiane;
-Rritje akoma më shumë e transparencës dhe e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve;
-Mbështetje dhe motivim për çdo punonjës policie që kryen detyrën me ndershmëri e përkushtim;
-Forcimi më tej i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.
Të dashur qytetarë,
Policia e Shtetit është e juaja. Ajo do të jetë gjithmonë në krah të ligjit dhe në krahun tuaj, profesionale, e gatshme dhe e përkushtuar.
Siguria juaj është detyrimi ynë më i madh.
Bashkëpunimi dhe besimi ndërmjet nesh janë thelbësorë për të ndërtuar një shoqëri më të sigurt.
Të nderuar përfaqësues të medias,
Ju jeni partnerë të rëndësishëm në informimin e drejtë dhe transparent të publikut. Policia e Shtetit do të jetë e hapur dhe e përgjegjshme në komunikim, duke rritur besimin përmes transparencës.
Të dashur punonjës të Policisë së Shtetit,
Ju jeni shtylla e këtij institucioni.
Nga ju kërkoj përkushtim, ndershmëri dhe respekt të palëkundur për ligjin dhe qytetarët.
Do të jem mbështetësi juaj në rrugën e drejtë, por edhe kërkues i lartë i standardeve dhe përgjegjësisë, sepse po përgatitemi për Policinë e Shtetit të një vendi evropian.
Le të punojmë së bashku për një polici që nuk e imponon autoritetin, por e fiton atë çdo ditë përmes shërbimit dhe drejtësisë.





