Skënder Hita do të marrë sot zyrtarisht detyrën si Kreu i Policisë së Shtetit teksa në orën 09:30 ka nisur ceremonia protokollare pranë Drejtorisë së Përgjithshme.
Do të kalohen kompetencat, do të kryhet betimi, ndërsa pritet të mbajë dhe fjalën e tij pasi të prezantohet nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Siç e do protokolli, detyra do t’i kalohet nga Sokol Bizhga, i cili për 1 muaj ka qenë drejtor i komanduar.
“Sot Policia e Shtetit ka hyrë në një fazë të re, si një trupë e orientuar qartë drejt modernizimit dhe digjitalizimit. Është një standard që jo vetëm duhet ta ruajmë, por edhe ta çojmë më tej”, u shpreh në nisje të ceremonisë zv.kryeministrja Albana Koçiu.
“Mbetet prioritet pipërtëritja e trupës së Policisë së Shtetit përmes afrimit të të rinjve dhe forcimit të integritetit, duke garantuar që ajo uniformë të mbahet vetëm nga ata që e meritojnë”, shtoi më tej Koçiu, që më parë ka mbajtur detyrën e ministres së Brendshme.
“Energjia e drejtoritt ë ri do të jetë një vlerë e shtuar”, theksoi Koçiu, pa harruar punën e bërë nga paraardhësi i Hitës, Ilir Proda.





