28shtator 2015 – As më pak dhe as më shumë, por 100 mijë euro do të jetë shpërblimi për futbollistët korçarë, në rast se Skënderbeu do të arrijë qoftë edhe një barazim në ndeshjen e së enjtes, më 1 tetor në Moskës ndaj skuadrës vendase të Lokomotivës. “Në Europa Ligë është diçka tjetër dhe premiot janë më të mëdha. Për ndeshjen kundër Lokomotivës, ekipi do të ketë 100 mijë euro premio në rast se rezultati do të jetë pozitiv”, do të deklaronte presidenti i korçarëve, Ardian Takaj, duke lënë të nënkuptohet, se ai do të ishte i kënaqur edhe me 1 pikë në Moskë.
Presidenti Takaj, ndërsa flet për “aventurën” e skuadrës së tij në Europa Ligë, shpreh bindjen se Skënderbeu, pavarësisht kundërshtarëve të fortë në grupin H, nuk do të dalë pa pikë në ndeshjet e mbetura. “Unë jam i bindur, ashtu si edhe djemtë, se kemi mundësi që të marrim pikë nga këto pesë ndeshje të mbetura. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet, atëherë ky sezon për ne quhet jo i mirë në Europë. Por nuk ka për të qenë kështu”, deklaron i bindur ai.
Ndërkohë, futbollistët e Skënderbeut sot do të marrin shpërblimin prej 20 milionë lekësh për 5 ndeshjet e fituara radhazi në kampionat. Këtë rregull të parashkruar nga klubi dhe të ditur edhe nga lojtarët, e konfirmon pas fitores 4-1 ndaj Bylisit edhe presidenti Takaj, i cili është i kënaqur me ecurinë e skuadrës, duke ritheksuar se titulli kampion, është objektivi kryesor i Skënderbeut.
/portali DurresLajm/