13shtator 2015 – Për Skënderbeun nis java europiane. Kampionët e Shqipërisë kthejnë faqe duke u fokusuar në një kompeticion që dhuron shumë prestigj, eksperiencë dhe shërben si një vitrinë për futbollistët e bardhekuqve, të cilët po marrin frytet e punës së gjatë që kulmoi këtë vit me kualifikimin për në fazën e grupeve të Europa League.
Në Korçë entuziazmi është i madh dhe kjo vihet re në interesimin që kanë shfaqur jo vetëm mbështetësit e afërt të ekipit por edhe shumë shqiptarë për sfidën e së enjtes përballë Beshiktashit.Turqit do të sfidojnë djemtë e Mirel Josës në një ndeshje luksi jo vetëm për Skënderbeun por për të gjithë futbollin shqiptar. “Elbasan Arena” do të përjetojë një tjetër mbrëmje në kapacitet të plotë pak ditë pas takimit eliminator kundër Portugalisë sepse ritmi i shitjes së biletave mbetet i lartë.
Sipas faqes së klubit korçar në Facebook brenda 48 orëve janë shitur plot 4500 bileta. Gjatë ditëve të ardhshme, pritet i njëjti ritëm për të ruajtur tendencën e stadiumit plot për debutimin e “Ujqërve” në Europa League. Biletat mund të gjenden në Korçë përballë Kinemasë si dhe në Elbasan e Tiranë te pikat e shitjes në stadiumin “Elbasan Arena” dhe “Qemal Stafa”. Çmimet për tribunën kryesore variojnë nga 3-5 mijë Lekë, ndërsa në tribunën VIP 8 mijë. Në tribunat F, D 600 Lekë, ndërsa një biletë në tribunën E kushton 700 Lekë.
/portali DurresLajm/