15 korrik 2015 – Skënderbeu nis rrugëtimin në ligën e kampioneve me një fitore spektakolare 4-1, arritur dje në mbrëmje në ndeshjen e parë kundër skuadrës irlandezo-veriore Krusaders në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës. Kjo është fitorja më e thellë e skuadrës korçare në kupat e Europës.
Korçarët e kanë merituar plotësisht fitoren, pasi në pjesën më të madhe të lojës kanë qenë superiorë ndaj kundështarit.
Pjesa e parë u mbyll 2-0 në favor të Skënderbeut me gola të Nimagës dhe bomberit shkodran Salihi, respektivisht në minutat 15-të dhe 35-të.
Ka një reagim të miqve nga Iranda e Veriut në minutat e para të pjesës së dytë dhe vetëm pas tri minutave lojë, ata ngushtojnë diferencën e golave me Ouens, pas një goditjeje me kokë i pambuluar pranë portës korçare.
Vendasve nuk u shkonte për shtat ky rezultat, aq më tepër që miqtë po shfaqeshin disi më agresivë në këto minuta.
Në minutën e 76-të, Berisha në një distancë të afërt me portën e portierit O’Neill, realizon golin e tretë. Rezultati përfundimtar i këtij takimi do të vulosej në minutën e 83-të nga Hamdi Salihi që realizon golin e katërt për korçarët dhe të dytin për të, që me këtë dygolësh ka bërë një debutim fantastik me Skënderbeun.
Me këtë rezultat Skenderbeu ka hedhur një hap të madh drejt turit të tretë dhe ka plotësisht në dorë fatet e kualifikimit për më tej. Ndeshja e kthimit në Belfast të Irlandës së Veriut do të luhet pas një jave.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/