22 korrik 2015 – Edhe pse ka humbur 2 – 3 në ndeshjen e kthimit në Belfast, Skënderbeu falë fitores 4 – 1 arritur në ndeshjen e parë në Korçë, arrin të kalojë me meritë në turin e tretë paraeliminator të Champions League.
Është një histori suksesi kjo për korçarët, e përjetuar edhe në sezonin 2013-2014.
Pesë golat e kësaj ndeshjeje u shënuan në pjesën e dytë të lojës.
Minutat e para të ndeshjes nisën jo mirë për korçarët, ku që në minutën e 11-të, Arapi del nga fusha e lojës me karton të kuq, duke lënë skuadrën me 10 futbollistë. Pavarësisht një epërsie të lehtë të vendasve, pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, 0 – 0.
Në minutat e para të pjesës së dytë janë vendasit që kalojnë në avantazh me anë të O’Flyn në minutën e 50-të. Por ky avantazh nuk do të zgjaste shumë pasi në minutën e 69-të, Berisha ka barazuar rezultatin për korçarët. Nuk do kalonin më shumë se tetë minuta lojë dhe në të 77-ën minute, korçarët kalojnë në avantazh me anë të Latifit. Të gjendur në dizavantazh, vendasit hidhen në sulm dhe në pak minuta godasin tre herë shtyllën mike dhe realizojne dy gola duke përmbysur gjithçka në favor të tyre.
Përfundimisht Krusaders-Skënderbeu 3:2. Tashmë Skënderbeu e ka lënë pas edhe këtë sfidë dhe i duhet të mendojë për kundështarin e ardhshëm në turin e tretë ku përballë korçarëve do të jetë skuadra moldave “Milsami”, që debuton për herë të parë në Champion League. Në turin e dytë “Milsami” eliminoi skuadrën bullgare “Ludogorets” me dy fitore, 1 – 0 në Bullgari dhe 2 – 1 në fushën e vet.
Në letër skuadra moldave “Milsami” duket një kundështar i kalueshëm për “Skënderbeun, por gjithsesi fusha e lojës do të tregojë gjithçka duke vënë në provë të dyja skuadrat
Por cili është “Milsami”, kundëshari i radhës për Skënderbeun?
“Milsami” është një klub i ri në Moldavi me histori 10-vjeçare, i themeluar në vitin 2005. Në 10 vite ka fituar një herë titullin kampion të Moldavisë, në sezonin e fundit 2014-2015. Është fituese e kupës së Moldavisë në sezonin 2011-2012, si dhe fitues i superkupës së Moldavisë në vitin 2012.
Ka marrë pjesë tri herë në Europa League në sezonet 2011-2012, 2012-2013, dhe 2013 -2014. Shumica e lojtarëve të Milsamit janë vendas, vetëm gjashtë prej tyre janë të huaj. Trajneri aktual i skuadrës është Juri Osipenko. Ndeshjet e saj, skuadra i luan në një stadium të vogël me një kapacitet prej 2539 vendesh të ulura.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/