29 korrik 2015 – Një dopietë e Hamdi Salihit i ka dhënë fitoren Skënderbeut në transfertën moldave kundër skuadrës vendase Milsami Orhei, ndeshje kjo e luajtur në stadiumin e Kishinievit ‘Zimbru Arena”.
Një pjesë e parë me një epërsi të lehtë të vendasve që ishin në disa raste pranë golit, por gradualisht me kalimin e minutave korçarët dalin në lojën e tyre duke iu afruar mjaft rrezikshëm portës vendase.Gjithsesi pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola 0 – 0.
Fraksioni i dytë i lojës nis me gol për korçarët. Minuta e 49-të, një top i ardhur nga e djathta e sulmit korçar dhe Salihi në qendër të mbrojtjes mes dy mbrojtësve moldavë gjuan me të parën dhe kalon Skënderbeun në avantazh.
Skënderbeu luan mire, shfaqet si një skuadër e pjekur dhe tregon një përgatitje të lartë fizike. Dyfishimi i rezultatit për korçarët ka ardhur në minutën e 73-të, këtë herë nga pika e bardhë e 11-m sërish me autor Hamdi Salihin. Pavarësisht avantazhit të dy golave, Skënderbeu nuk lëshon terren, mbetet mjaft i rrezikshëm sidomos nga krahët me Berishën dhe Latifin.
Në minutën e fundit vetëm mrekullia e portierit Shehi ka shpëtuar Skënderbeun nga një gol mëse i sigurt për vendasit. Në minutat shtesë, Skënderbeu ishte shumë pranë golit të tretë ku gjuajtjen e Arbër Abilaliajt e ka ndalur trau i portës së mbrojtur nga portieri moldav Mitu.
Këtu mbyllet gjithçka, Skënderbeu merr një fitore historike 2 – 0 në transfertë duke hedhur një hap të madh drejt kualifikimit, mbeten dhe 90 minuta për t’u luajtur në ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena” që ky kualifikim të zyrtarizohet dhe për herë të parë do të kemi mundësinë të shohim një skuadër shqiptare ne fazën e grupeve të Champion League-s.
Pas ndeshjes, trajneri i Skënderbeut Mirel Josa u shpreh tepër i kënaqur nga ky rezultat duke përgëzuar të gjithë djemtë për mënyrën e interpretimit të lojës ku gjithçka funksionoi mjaft mirë.
“Me këtë fitore kemi hedhur një hap të madh përpara, por mos harrojmë se janë dhe 90 minuta për t’u luajtur dhe për këtë kërkohet një përqëndrim maksimal dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë”, u shpreh ndër të tjera trajneri Josa.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/