Skënderbeu do të luajë të enjten përballë Lokomotivës së Moskës ndeshjen e fundit për këtë sezon në Europa League. Pavarësisht se janë eleminuar nga ky kompeticion, trajneri i kampionëve korçar radhit disa faktorë pse Skënderbeu duhet ta mbyllë me një rezultat pozitiv aventurën europiane.
“Jemi të detyruar të vazhdojmë edhe këtë ndeshje, që është e fundit e jona në Europa League, duke i rrit prestigjin skuadrës. Në qoftë se do të merret një rezultat pozitiv, barazim ose fitore, atëherë rritet koeficienti i skuadrës për vitin e ardhshëm, por kemi edhe leverdi ekonomike”, u shpreh Josa.
Për të arritur kualifikimin për në fazën tjetër të Europa Leagues, Lokomotivës së Moskës i duhet patjetër fitorja në “Elbasan Arena”. Në rast të një barazimi, atëherë skuadra ruse duhet të shpresojë në një triumf të turqve të Beshiktash ndaj Sportingut në Lisbonë. Sfida Skënderbeu-Lokomotivë e Moskës do të luhet të enjten në “Elbasan Arena” dhe do të transmetohet në orën 21:00.