Brenda 4 ditëve, Skënderbeu jo vetëm ngushtoi diferencën me kryesuesit e Kukësit dhe Partizanit, por gjithashtu siguroi dhe një vend në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në “Niko Dovana” të Durrësit, korcarët fituan falë një goli të Liridon Latifit, që me finalizimin e tij në minutën e 51-të i tregoi rrugën drejt finales formacionit të Dajës.

I fortë nga epërsia 1-0 e ndeshjes së parë, Skënderbeu u përpoq sidomos në pjesën e parë të qetësonte lojën i ndërgjegjshëm se goli herët a vonë do të vinte. Teuta u përpoq të impononte ritmin megjithatë skuadra e Dajës u duk në kontroll, pavarësisht rasteve të ishit Progni në të 16-tën që nuk devijoi dot harkimin e Kotobellit, apo ai i Cyrbjas, në të 33-tën.

Ndërsa të vetmen shkëndijë për Skënderbeun e dha Gavazaj në të 28-tën. Në ndryshim nga pjesa e parë, në pjesën e dytë korcarët e nisën menjëherë fortë në kërkim të golit të qetësisë, dhe pasi rrezikoi në të 49-tën me Gavazaj, gjeti epërsinë në të 51-tën me lojtarin e momentit, Liridon Latifi.

Teuta nga ky moment kishte nevojë për 3 gola, por pavarësisht dëshirës, Skënderbeu lejoi shumë pak hapësira, dhe përjashto një goditje të Papës në të 65-tën, Kotobellit në të 80-tën, apo Prognit në të 83-tën për Shehin nuk pati probleme serioze deri në fund.

Me rezultatin e përgjithshëm 2-0 Skënderbeu mundi të sigurojë finalen, shumë thjeshtë madje, duke konfirmuar se këtë vit, këtë trofe jo vetëm e dëshiron, por dhe është favorit për të triumfuar në finale për herë të parë në këtë histori.