Të enjten, më 19 tetor, ora 21:05, Skënderbeu do të presë në stadiumin “Elbasan Arena” Partizanin e Beogradit. Takim është i vlefshëm për fazën e grupeve të “Europa League”. “Ujqërit” janë në kërkim të fitores për të mbajtur hapur shanset për t’u kualifikuar më tej.

Klubi korçar iu bën thirrje tifozëve për mbështetje maksimale në këtë sfidë mjaft delikate. Po ashtu, njofton për çmimet e biletave për këtë ndeshje: Tribuna G dhe C – 500 lekë, Tribuna E, D dhe F – 700 lekë, Tribuna A1, A2, A3, A4 – 2000 lekë, Tribuna B1, B2, B4, B5 – 2000 lekë, Tribuna B3 – 3000 lekë, Tribuna VIP – 6000 lekë.

Biletat mund t’i blini prej ditës së nesërme te pika e shitjes përballë me kinemanë e qytetit në Korçë. Në ditët në vijim do njoftohen pikat e shitjes dhe oraret në qytetet e Elbasanit dhe Tiranës. Për këtë transfertë, klubi ka vendosur sërish transport falas për tifozët, që dëshirojnë të ndjekin ekipin në “Elbasan Arena”.

Detajet e udhëtimit do të publikohen në vijim. Biletat për takimin e radhës, për shkak të rëndësisë së veçantë që mbart, do të jenë të personalizuara dhe hyrja në stadium do të bëhet ne kartë identiteti. Tribunat D, E dhe F do të shiten vetëm në qytetin e Korçës. Klubi prej javësh, në bashkëpunim me UEFA-n, policinë e shtetit dhe “security” janë duke marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e këtij takimi.