Në Durrës i është kushtuar një vëmendje e veçantë Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave të Trafikut Rrugor.

“Policia Rrugore e Durrësit, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, improvizuan skenë aksidenti rrugor, për të demonstruar veprimet policore dhe ndihmën e parë që jepet në këto raste.

Në ora 12:00, në çdo kryqëzim, u bë ndalimi i mjeteve, për 1 minutë, në respekt të kujtimit të viktimave të trafikut rrugor”,- bën të ditur Ministria e Brendshme.

Në të gjitha qytetet kryesore të vendit, Policia Rrugore ka zhvilluar aktivitete të ngjashme sensibilizuese, për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe për t’u kujtuar drejtuesve të mjeteve se duhet të tregojnë kujdes në timon

“Policia e Durrësit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të kontribuojnë në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore!”,– shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Sipas Policisë së Shtetit, në periudhën janar-nëntor 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, janë 17 jetë të humbura më pak.

“Ka ende shumë punë për të bërë bashkërisht, për minimizimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë. Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri”,-  apelon Policia e Shtetit.