Skenat e krimit janë të gjithfarëllojshme. Një skenë krimi është ajo ku u vra një 29-vjeçar natën e shkuar në Vlorë. Por më monstruoze është skena në Porto–Romano. Në shirit i verdhë me mbishkrimin skenë krimi, u vendos aty sot nga një grup të rinjsh që sfiduan shumë.
Në këtë skenë krimi në fushën e mbetjeve urbane në Porto-Romano të Durrësit, në një sipërfaqje prej më shumë se 40 hektarësh që nuk mund të shpjegohet me fjalë sepse as fjalët nuk mjaftojnë për të treguar krimin e madh mjedisor që bëhet 7 km nga zemra antike e qytetit.
Prej më shumë se 25 vjetësh, me qindra ton mbetje urbane që prodhohen nga qytetarët e turistët e Durrësit e të rrethinave, depozitohen në këtë fushë ditë për ditë nga ndërrmarja komunale. Mbetjet dekompozohen në fushë të hapur e një pjesë digjet duke çliruar re të zeza dioksid karboni që thithen po nga qytetarët e Durrësit.
Malet e lartë të mbetjeve urbane herë pas here hapen nga dhjetëra e dhjetëra familje që janë të punësuar aty duke bërë punën e një fabrike riciklimi. Në ujërat nëntokësorë që rrjedhin nga fusha e plehërave dikur ish-kënetore freskohen kafshët që më pas përfundojnë në tryezat e njerëzve.
Në ditën ndërkombëtare të mjedisit të rinjtë e forumit të Partisë Agrare Ambientaliste kanë organizuar aty një tubim duke penguar për pak minuta makinat e transportit të mbetjeve urbane të bashkisë. Qëndrimi për pak minuta është kanceroz. Të rinjtë dhanë mesazhin se kjo fushë e mbetjeve urbane është kanceroze për banorët e zonës, për mijëra studentë të kampit universitar që gjendet rreth 1.5 km, larg prej saj për Durrësin e për turistët.
Të rinjtë në pak minuta dhanë mesazhin se përtej çdo investimi bashkia duhet të ndërtojë fabrikën e riciklimit. Por deri tani nuk ka asnjë shpresë. Projektet në horizont janë gjithmonë e më të rralla për ndërtimin e një landfilli që do t’i jepte zgjidhje këtij problemi madhor.
K.H.





