Finlandë – Lara Colturi ia ka dalë të ngjitet për herë të katërt në histori në podiumin e një Kupe Bote për Ski. Në garën e dytë të këtij sezoni, në Levi të Finlandës, 19-vjeçarja italo-shqiptare siguroi vendin e dytë në total, me kohën 1 minutë, 50 sekonda e 58 të qindtat, vetëm 1.66 më shumë se fituesja e kësaj gare, legjenda amerikane Mikaela Shiffrin. Lara Colturi me këtë vend të dytë në garën e Slalomit mori 80 pikë duke e çuar në 116 pikë totalin pas dy garave të para të Kupës së Botës dhe e sheh veten në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme, pas Mikaela Shiffrin dhe Paula Moltzan. Javën që vjen Lara Colturi do jetë në pistën e Gurgl në Austri, në disiplinën e Slalomit. Pas garës së dytë të sezonit ajo nuk i ka fshehur emocionet, teksa sot feston edhe ditëlindjen e 19-të.
“Jeni pas një kampione si Mikaela Shiffrin, si ndiheni?
Jam shumë e lumtur, ky është Slalomi i parë i sezonit dhe jemi stërvitur shumë. Të ndaj podiumin me Mikaelën është një gjë e veçantë, ajo është një frymëzim për mua”, tha Colturi pas garës.





