Kantieri në sheshin “Veliera” në Durrës është më i madhi i hapur këto vitet e fundit në qytetin tonë, por edhe më i diskutuari, jo për vlerën 6 milionë dollarë, se sa për zonën në të cilën kryhet. E gjithë vëmendja e opinionit publik këto ditë është përqëndruar pikërisht tek punimet që po kryhen në sheshin para portit të Durrësit si dhe në seksionin tek Torra Veneciane.

Operatori i “Durrës Lajm” na sjell një fakt interesant, që nuk besohet  se ndodh  për neglizhencë të Inspektoriatit të Punës, se sa për mungesë vigjilence të këtyre inspektorëve.

Janë me dhjetëra punëtorë që në 18 orë të ditës gjenden aty duke punuar, në disa fronte të ndryshme, që për hir të së vërtetës janë mjaft të vështira. Punëtorët punojnë në hapje kanalesh, në ngarkim shkarkim, poshtë vinçave e betoniereve, me pak fjalë në një kantier të vërtetë ndërtimi. Shumë prej punëtorëve janë të siguruar, madje të veshur me jelekë fosforeshentë, me kaska mbrojtëse dhe doreza, mjete këto që pretendohet  se shmangin aksidentet në punë të punëtorëve. Por për mungesë vigjilence, sepse nuk mund të besohet që në qendër të Durrësit në një kantier gjigand si ky inspektorët të marrin ryshfet, një pjesë e punëtorëve punojnë pa asnjë mjet mbrojtës. Pa kaskë, pa jelek fosforeshent pa mjetet e duhura e të përcaktuara në ligj, ata janë duke punuar ditën për diell, poshtë vinçave, mbi karroceri të makinave të rënda, apo edhe duke disiplinuar tubat e mëdhenj që shtrihen nën tokë.

Në mungesë të kushteve të punës, apo edhe sigurisë minimale të jetës së tyre, mbetet t'u themi: “Ju ruajt Zoti” e me këtë rast të hapin sytë edhe autoritetet që kanë përgjegjësi, pa ndodhur ndonjë aksident fatal në punë.

Firma zbatuese e projektit punon me ritme të larta në disa fronte dhe padyshim që kërkon të kapë ritmin, për të mbyllur investimin në kohën e parashikuar. Në rastet kur përgjegjësit nuk vërejnë punëtorët, mbetet t’ua kujtojmë autoriteve, se jeta e njeriut është e rëndësishme se investimi që kryhet!

K.H.