Tre ekspertë në fushën e kibernetikës, pjesë e AKSH-it dhe AKCESK, ishin të ftuarit e podcast-it të radhës të kryeministrit Edi Rama.

Franc Zylyftari, pjesë e Drejtorisë së Sigurisë e-Gov, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Adriano Lleshi dhe Ilir Daka, nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, treguan emocionet e fitores në “Cyber drill”, në një garë mes mes 108 shtetesh, ku simulohet lufta dhe sulme kibernetike mes skuadrave speciale. Të tre pranuan se eksperienca e vitit të fundit, ku Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike, u shërbeu për të dalë të parët në botë në këtë kompeticion.

“Ishte hera e parë që merrnim pjesë, emocion i madh. Kur pamë Shqipërinë që ishte në krye… ti nuk vlerëson kundërshtarin, por sheh te vetja dhe thua çfarë mund të bëj më tepër. Pamë si i kishim zgjidhur sulmet që kishim pasur dhe kështu arritëm të zgjidhnim dhe ushtrime të tjera”, tha Adriano.

“Pjesëmarrja në një garë që hyri në Guiness me 108 shtete pjesëmarrëse, ishte emocion shumë i madh. Simulimi, në përditshmërinë tonë, është një skenë reale që ndodh, ne përballemi me incidente, sulme të ndryshme kibernetike. Eksperienca e viteve të fundit, na ka ndihmuar të krijojmë njohuritë dhe aftësitë e duhura për të marrë pjesë në konferenca e ushtrime ndërkombëtare”, tregoi Franci.

“Mirënjohje dhe respekt për këtë sukses të jashtëzakonshëm”, iu drejtua kryeministri djemve.