DURRES, 8 qershor 2013 – Deputetja Klodiana Spahiu e shoqëruar me një tjetër pjesëtare të ekipit durrsak të Rilindjes Esmeralda Shkjau dhe me kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako kanë zhvilluar një takim madhështor e plot entuziazëm me gratë dhe vajzat e forumit të gruas socialiste të rrethit të Durrësit.
Në një sallë të tejmbushur në pallatin e kulturës "Aleksandër Moisiu" gratë dhe vajzat pjesëmarrëse shprehën bindjen e plotë se qeveria me kryeministër Edi Ramën do të rilindë të gjithë vendin. Fjalën e rastit në këtë takim e mbajti kryetarja e forumit të gruas socialiste të rrethit të Durrësit Alda Kushi e cila deklaroi se gratë dhe vajzat janë të bashkuara për një qëllim të përbashkët që është Rilindja e Shqipërisë:
“Ndiehem shumë e emocionuar që ju shoh kaq shumë e kaq të bashkuara për një qëllim të përbashkët, për një ëndërr, për një objektiv që është fitorja e 23 qershorit për RILINDJEN e mbarë vendit tonë. Ne jemi sot përballë një qeverie indiferente dhe të paaftë për t’ju përgjigjur nevojave tona për punësim, për një nivel dinjitoz jetese, për arsimim më të mirë, për shërbim shëndetësor cilësor, për përkrahje dhe shërbime sociale ndaj familjeve dhe qytetarëve në nevojë. Ne jemi sot përballë një qeverie që, ndonëse propagandon e vetë-kënaqur rritjen ekonomike, ofron shumë pak ose aspak siguri dhe mirëqenie, duke i lënë shpesh gratë dhe vajzat të vetme përballë varfërisë, dhunës dhe vuajtjes. Sfida jonë është e madhe. Ajo synon në radhë të parë zgjimin e shpresës në sytë dhe në zemrat e atyre që kanë njëmijë e një arsye për t’u ndierë keq, të zhgënjyer, të parealizuar. Synon zgjimin e shpresës në një mjedis ku çdo ditë e më shumë ndeshemi me papunësinë e me mosfunksionimin e institucioneve qeveritare të mbi mbushur me njerëz të paaftë e militantë. Në këtë realitet unë besoj fort që secila nga ju ka diçka të rëndësishme për të bërë e për të dhënë, sepse secila nga ju këtu beson se ndryshimi është i mundur, por ndryshimi nuk mund të ndodhë nëse e presim në shtëpi. Kjo është koha që me një përpjekje dhe një angazhim të përbashkët t’a bëjmë atë realitet. Ne sot jemi në gjendje t’u themi të gjithë shqiptarëve se vizioni ynë është ajo ç’ka i duhet Shqipërisë. Ne si PS jemi forca që kemi atë ç’ka na duhet që ky vizion dhe ky program të kthehen në realitetin që do të prekë çdo familje, çdo biznes, çdo grua. Sot zgjedhja është mëse e qartë: të pranojmë rrënimin e mëtejshëm apo të përpiqemi të gjithë bashkë për rilindjen e Shqipërisë. Rilindja pa asnjë dyshim fillon me gruan, me vajzën, me këtë gjysëm të pazëvendësueshme të shoqërisë tonë. Të jesh grua dhe të kesh kurajon të marrësh pjesë në jetën publike e politike të vendit tënd do të thotë të kesh së brendshmi një energji që duhet ndarë me të tjerët dhe që patjetër duhet të përfshijë edhe më shumë gratë e tjera. Nuk jemi vetëm. Jemi shumë dhe jemi të gjitha bashkë për të mbështetur Partinë Socialiste dhe programin e Rilindjes e mbi të gjitha jemi bashkë për të mbështetur njëra-tjetrën, nesër kur të qeverisim Shqipërinë e Rilindur.”
Në takim ka përshëndetur deputetja Klodiana Spahiu e cila deklaroi se sot gratë dhe vajzat nuk gëzojnë asnjë mbështetje nga shteti i cili nuk i vjen në ndihmë atyre.
Spahiu shtoi se gratë dhe vajzat mbështesin rilindjen dhe do të votojnë qeverinë me kryeministër Edi Ramën pasi kjo është e vetmja mënyrë për të rilindur Shqipërinë dhe se vetëm kështu gratë dhe vajzat do të kenë vëmendjen dhe mbështetjen e shtetit me politika të ndjeshme sociale.
Takimin e ka përshëndetur edhe kryebashkiaku i Durrësit dhe anëtari i kryesisë së PSSH Vangjush Dako që e vlerësoi lart rolin e gruas duke u shprehur se gratë dhe vajzat kanë rol vendimtar jo vetëm për fitoren në 23 qershor por edhe për të zbatuar programin e Rilindjes pas 23 qershorit.





