Pas akuzave se humbja 12-0 ndaj Barcelonës B ishte e trukuar, klubi nuk ka pritur më që të shihet rezultati i hetimit. Në një komunikatë për shtyp, ata kanë njoftuar se tërhiqen në mënyrë të menjëhershme nga kampionati dhe se institucionet e futbollit duhet të nisin një hetim mbi bastet.
“Në një situatë kaq të vështirë për klubin tonë, kemi vendosur që të mos marrim pjesë në ndeshjet e mbetura të kampionatit. Humbja 12-0 ndaj Barcelonës B ishte e patolerueshme si në aspektin e rezultatit sportiv, ashtu edhe mbi dyshimet e vullnetit të lojtarëve për të dhënë maksimumin. Për këtë gjë, kërkojmë që organet përkatëse të nisin një hetim dhe të kenë në qendër të vëmendjes përfitimet e siguruara nga bastet. U kërkojmë falje tifozëve tanë, por besojmë se ky është vendimi i duhur që duhet marrë”, thuhej në komunikatë.Në fakt, Eldense e kishte siguruar rënien nga kategoria, pasi pozicionohej në vendin e fundit të klasifikimit me vetëm 14 pikë në 32 ndeshje.Pjesë e skuadrës së Eldenses është edhe një futbollist kuqezi. Bëhet fjalë për portierin 20-vjeçar Alesio Abibi, i cili nuk ka luajtur në ndeshjen e akuzuar për trukim. Madje, nuk ka pasur thuajse fare minuta në dispozicion gjatë këtij edicioni. Në të shkuarën, Abibi ka qenë pjesë e Kombëtares U-17 të Shqipërisë, ku është aktivizuar për disa minuta në një ndeshje miqësore ndaj Italisë. Pas vendimit për shkrirjes e skuadrës, tashmë ai ka mbetur pa ekip.
Alesio Abibi është një portier i talentuar, i cili tashmë ka mbetur pa skuadrës pas vendimit të klubit për t’u shkrirë. Në fakt, 20-vjeçari nuk është aspak i përfshirë në skandalin e ekipit spanjoll, por e pësoi dhe tashmë është një lojtar i lirë. Futbollisti shtatlartë ka luajtur në të shkuarën në kategoritë inferiore të Italisë, ndërkohë që edicionin e fundit provoi të aktivizohet në Spanjë, ku në fakt nuk ka gjetur mjaftueshëm hapësira.Në të shkuarën, ai ka arritur të fitojë edhe grumbullimin me Përfaqësuesen U-17 të Shqipërisë, gjatë kohës që drejtohej nga Altin Lala. Ai është aktivizuar si zëvendësues në minutat e fundit të miqësores ndaj Italisë, të cilët kuqezinjtë e humbën me rezultatin 3-2.