Itali, 6 gusht 2014 – Shqiptarët në Itali krahas historive të krimit e dhunës ofrojnë edhe histori suksesi.
Ata janë biznesmenë, sportistë, studentë, nxënës e artistë të suksesshëm.
Njëri prej tyre është edhe Kujtim Turkeshi (Timi) lindur në Durrës, në 1963 me origjinë dibrane.
Turkeshi i diplomuar në skulpturë monumentale dhe i shquar jashtë Shqipërisë për punime qeramike ka ekspozuar skulpturat e tij në disa vende evropiane përfshirë Italinë, Kanadanë, SHBA-në etj.
Mediat italiane, ndërsa raportojnë për zhvillimin e aktivitetit kulturor “Notti D’autore” (Netë autorësh), që zhvillohet në qytezën e Sant Angellos, në provincën e Napolit, përmendin faktin se një nga pjesëmarrësit është edhe skulptori durrsak.
Turkeshi së bashku me qeramistin e famshëm kinez Deng Wenyu do të bëjnë riprodhime qeramike live të lagjes Maiano, ku do mbahet ky aktivitet artistik.
Normalisht ndihesh mirë, kur artistët shqiptarë, artistët durrsakë, arrijnë të kenë sukses në Itali, një vend me traditë jashtëzakonisht të pasur artistike dhe me kërkesa mjaft të larta për nivelin artistik.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





