Skulptori i njohur durrsak Qazim Kërtusha ka festuar sot 70-vjetorin e lindjes mes kolegësh e miqsh.
Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e jashtme të studios së tij, Kërtusha falenderoi të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre dhe për mbështetjen e dhënë përgjatë viteve të karrierës.
Me një karrierë shumë vjeçare mbi supe dhe dhjetëra skulptura të realizuara dhe ekspozuara në hapësirat urbane të qyteteve të ndryshme, mjeshtri e pranon që tani është e vështirë të bësh art.
“Të bësh bilancin e karrierës sime ka qenë një punë e madhe. Në studion time janë me mijëra projekt ide. Vetëm projekt ide pa fund, nuk po e ekzagjeroj. Është e vështirë të bësh art në një mentalitet të tillë.
Dikur kishim diktaturën, tani kemi diktaturën e tregut. Është shumë e vështirë sot të jesh artist”,- thotë ai me jo pak trishtim që i dallohet qartazi ndërsa flet.
Mes emrave të njohur të artit, e pranishme në ceremoni ishte dhe kryetarja e bashkisë Emiriana Sako. Ajo nënvizoi gjatë fjalës së saj vëmendjen e veçantë që bashkia i rezervon njerëzve të artit dhe kulturës në qytetin bregdetar.
Qazim Kërtusha është një artist që e ka dashur shumë vendlindjen e tij, Durrësin. Një pjesë e madhe e veprave të instaluara në hapësirat publike të qytetit mbajnë firmën e tij.
Ai ka realizuar dhjetëra skulptura parku që kanë zënë vend në qytetet shqiptare, por edhe ato të Kosovës, madje dhe përtej trojeve shqiptare si në Verona e Sardenjë, në Itali) apo Vjenë etj.
Kërtusha është pjesëmarrës në disa ekspozita personale dhe kolektive brenda dhe jashtë vendit.
M.B.